Familja e 8-vjeçarit të vrarë në Fier, Mateo Vasiut, po kërkon dënim me varje për autorin e vrasjes, Klodian Çalamani.
Familjarët e viktimës kanë nisur edhe nënshkrimin e një peticioni, përmes të cilit, synojnë dënimin me vdekje të 38-vjeçarit. Peticioni është firmosur edhe nga qytetarë të shumtë, të cilët të tronditur nga ngjarja e rëndë, kërkuan varjen e tij në mes të qytetit të Fierit, raporton Top Channel, transmeton KosovaPress.
Familjarët e të miturit janë futur me forcë brenda ambienteve të gjykatës, duke çarë edhe kordonin e policisë. Mes thirrjes “drejtësi” ata kanë kërkuar të ballafaqohen me Çalamanin, i cili nuk u paraqit në ambientet e gjykatës pikërisht prej gjendjes së rënduar.
Personat e pranishëm kërkonin që vrasësi të dënohej me varje pasi nuk mund të qëndronte në burg dhe të ushqehej me taksat e tyre.
“Kërkoj varjen në mes të Fierit sot, ma sillni këtu”, tha nëna e djalit të vrarë, ndërsa të tjerë u shprehën se dënimi me burg nuk do ta linte të prehej në paqe 8-vjeçarin.
Lamtumira e fundit 8-vjeçarit i është dhënë të mërkurën.
Lidhur me rastin e vrasjes së tij ka reaguar edhe kryeministri i Shqipërisë Edi Rama. Ai ka kërkuar që të jepet dënimi maksimal ndaj barbarit Çalamani.
Shqipëria e ka hequr dënimin me vdekje prej gati 3 dekadash. Ishte viti 1992 pikërisht në Fier, kur u ekzekutua për herë të fundit një varje në mes të qytetit. Kishte 8 muaj që kishte ardhur demokracia dhe legjislacioni nuk kishte ndryshuar ende.