Përforcimi dhe përmirësimi i bashkëpunimit mes Gjykatës Kushtetuese, medias dhe shoqërisë civile është i rëndësishëm, u tha të premten në tryezën e diskutimit të organizuar nga USAID-i dhe Gjykata Kushtetuese. Derisa u potencua se Qeveria e Shteteve të Bashkuara të Amerikës po përpiqet që të japë pavarësi të drejtësisë dhe transparencës.
Drejtori i Zyrës për Demokraci dhe Qeverisje në USAID, Noel Bauer tha se fuqia e vendimmarrjes së Gjykatës Kushtetuese varet nga besimi që i jep qytetari, derisa shtoi se fitimi i këtij besimi kërkon transparencë, dialog, bashkëpunim dhe llogaridhënie.
“Qeveria e Shteteve të Bashkuara përmes USAID-it, byrosë për narkotikë dhe linjës ligjore ndërkombëtare përpiqet që të japë pavarësi të drejtësisë dhe transparencës dhe jemi shumë të lumtur që po e mbështesim këtë pjesën e Gjykatës Kushtetuese që ta organizojmë këtë tryezë të rrumbullakët. Diskutimet e ditës së sotme kanë të bëjnë me sigurimin që lihet në mes të komunikimit dhe gjykatës dhe qytetarëve, përfaqësuesve dhe shoqërisë civile të mbesin të hapura. Të gjithë e dimë se fuqia dhe permanenca e vendimmarrjes të kushtetueses varet plotësisht prej besimit që i jep qytetari prej gjykatës, dhe fitimi i këtij besimi kërkon transparencë, dialog, bashkëpunim dhe llogaridhënie. Kjo nënkupton që të gjithë në këtë sallë kanë një rol për të luajtur për të siguruar që ka drejtësi, dhe të gjithë kanë perspektivë valide në lidhje me atë se si duhet të administrohet kjo drejtësi”, tha Bauer.
Ndërkaq, kryetarja e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, Gresa Caka potencoi se në kuadër të këtij diskutimi do të lansojnë një video që ka për qëllim përforcimin e bashkëpunimit reciprok si dhe përmirësimin e gjykatës në komunikim me publikun.
“Të dy këto aktivitete ngërthejnë një qëllim më të madh, qëllimin e përforcimit të bashkëpunimit reciprok mes Gjykatës Kushtetuese dhe medias dhe shoqërisë civile në anën tjetër. Me një qëllim të dyfishtë, qëllimin e Gjykatës që në mënyrë të vazhdueshme të përmirësojë dhe avancojë mekanizmat e saj të komunikimit me publikun dhe së dyti që përmes bashkëpunimit me median dhe shoqërinë civile të kontribuojë rreth rritjes së kuptimit të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese në publik, si pasoj edhe rritjen e besimit të publikut në institucionet publike”, tha Caka.
Tutje, Caka tha se detyra e gjyqtarit dhe institucionit përkatës përfshinë ushtrimin e diskrecionit të plotë, vetëpërmbajtjes dhe moderimit në komunikim me publikun.
“Ndërtimi i këtij raporti është delikat jo vetëm për Gjykatën Kushtetuese të Kosovës, por për të gjitha gjykatat kushtetuese tradicionalisht. Kjo sepse balanca delikate e ndërveprimit në mes Gjykatës Kushtetuese dhe medias posaçërisht është rezultat i një parimi jashtëzakonisht të rëndësishëm kushtetues, ligjor dhe etik i cili është parimi i vetëpërmbajtjes gjyqësore… Në parim, përfshirë sipas rekomandimeve të Këshillit konsultativ të gjyqtarëve evropian të Këshillit të Evropës, ky parim përfshinë detyrën e gjyqtarit përfshirë institucionin përkatës për të ushtruar diskrecion të plotë, vetëpërmbajtje dhe moderim në komunikim me publikun. Përfshirë në të përgjigjurit nga sulmet e mundshme nga forcat politike, gjithnjë në mbrojte të parimit të pavarësisë e autonomisë institucionale dhe autoritetit të institucionit”, potencoi Caka.
Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, Gresa Caka shtoi se trendet e fundit kanë lëvizje në favor të bashkëpunimin të institucioneve si rezultat i përdorimit më të madh të teknologjisë.
Ndërkaq, të pranishëm në këtë tryezë diskutimi ishin edhe përfaqësuesit e medias.