28 prilli është Dita botërore e sigurisë dhe shëndetit në punë. Çdo vit në këtë ditë mbahen aktivitete dhe fushata ndërgjegjësimi me qëllim përqendrimin e vëmendjes ndërkombëtare mbi tendencat e reja në fushën e sigurisë dhe shëndetit në punë, si dhe rëndësinë e problemeve të lidhura me lëndimet, sëmundjet dhe vdekjet në vendin e punës.
Institucionet e vendit vazhdojnë të përsërisin përkushtimin e tyre për rritjen e nivelit të sigurisë së punëtorëve në vendin e punës, por të dhënat në terren flasin për rezultate jo pozitive.
Në botë, çdo 15 sekonda një punëtor humb jetën në vendin e punës. Kështu deklaroi në një intervistë për UBTMedia, dekani i Fakultetit të Inxhinierisë së Ndërtimit dhe Infrastrukturës në UBT, prof.dr. Muhamet Ahmeti.
Ahmeti theksoi se në aspektin ligjor, Kosova gradualisht po e përmbyll vakuumin që ka qenë deri më tani, megjithatë thekson se Kosova çalon sa i përket aspektit të menaxhimit dhe inspektimit. Ai kërkoi nga inspektorati i punës të rrisë numrin e inspektorëve./UBTNews