Carlos Mac Allister ka lënë të kuptohet se djali i tij Alexis mund të largohet nga Brightoni gjatë verës pas interesimit të raportuar nga Arsenali dhe Chelsea.
Alexis Mac Allister ka rritur vlerën e tij pas paraqitjeve të mira për Argjentinën në Kupën e Botës, pasi ai luajti një rol kyç në rrugën që çoi në shpalljen e Argjentinës kampione të botës. 24-vjeçari e ka vazhduar formën e tij mbresëlënëse në Brighton, duke çuar në spekulime për një transferim tek ndonjë klub i madh pas përfundimit të sezonit.
Babai i Mac Allister tani ka pranuar se planet janë që djali i tij të kërkojë një largim në fund të sezonit dhe ai nuk pret që Brighton ta pengojë në realizimin e ëndrrës së tij.
Duke folur për “TyC Sports” , Carlos Mac Allister tha: “Për momentin, ai është në Brighton. Më duket një gjë shumë e mirë që ai është kthyer nga Kupa e Botës dhe nuk ka kërkuar për t’u larguar, duke shijuar suksesin me qetësi dhe në paqe, në një ekip që e do shumë”.
“Pritja që ka pasur ka qenë më e mira. Ai është shumë mirë në klub. Të gjithë e dimë se në korrik do të ketë mundësi për t’u larguar. Por para Kupës së Botës, Alexis rinovoi kontratën e tij në mënyrë që edhe klubi ta ketë mundësinë e një transferimi të rëndësishëm dhe të përfitojë sa më shumë”, shtoi ai.
Si Chelsea ashtu edhe Arsenali raportohet se ishin të interesuar për nënshkrimin e argjentinasit gjatë afatit kalimtar të janarit, por asgjë nuk u konkretizua . Ndërsa Brighton shiti Leandro Trossard në Arsenal, Mac Allister vazhdoi në stadiumin “Amex”. Megjithatë, të dy gjigantët e Premier Ligës janë ende në kërkim të përforcimeve në mesfushë dhe mund të ndjekin yllin e Brightonit edhe një herë kur të rihapet dritarja e transferimeve të verës.