UBT News

Kërkohet ndryshimi i Projektligjit për rrjetet e komunikimeve elektronike

Në dëgjimin publik për Projektligjin për masat për uljen e kostos së shtrirjes së rrjeteve të komunikimeve elektronike të shpejtësisë së lartë, operatorët kabllorë kërkuan shkurtimin e afateve kohore për kthimin e përgjigjeve për ankesa dhe tarifa standarde për infrastrukturë.

Deputeti Driton Hyseni, kryesues i Grupit punues në kuadër të Komisionit për Ekonomi, tha se projektligji duhet të jetë sa më funksional, i dobishëm për të gjithë operatorët.

“Ne synojmë që përmes projektligjit të arrijmë që operatorët të cilët merren me fushën e komunikimeve elektronike të shpejtësisë së lartë, të kenë mundësi infrastrukturën fizike ekzistuese, e cila ekziston në vendin tonë të kenë mundësi që në mënyrë të përbashkët ta shfrytëzojnë. Sepse mendojmë që kështu është kosto më e ulët për secilin prej operatorëve, por njëkohësisht edhe infrastrukturën e re fizike në këtë fushë, e cila do të ndërtohet në Kosovë. Po ashtu, inkurajohen të gjithë operatorët që me kosto sa më të ulët të bëjnë shtrirjen e saj, por edhe të kenë marrëveshje të mira të shfrytëzimit të përbashkët të kësaj infrastrukturë”, tha Hyseni.

Enver Basha nga Ministria e Ekonomisë, theksoi se më shumë se gjysma e komenteve janë futur në draft ligj, derisa shtoi se afatet kohore për përgjigjen e ankesave janë në përputhje me direktivat e BE-së.

“Kemi pranuar një numër të konsiderueshëm të komenteve dhe i kemi trajtuar ato. Mund të themi se më shumë se gjysma e tyre janë marrë në konsideratë, përveç disa komenteve që kanë qenë për shkurtim të afateve. Duke marrë parasysh se direktiva i cakton afatet, ne nuk kemi mund t’i kalojmë ato për shkak se nuk do të ishin në përputhje me direktivën e Komisionit Evropian. Qëllimi i projektligjit realizohet përmes katër objektivave kryesore. E para është shfrytëzimi më I mirë I infrastrukturës ekzistues dhe rritja e transparencës, duke përfshirë të gjitha shërbimet publike që janë në shfrytëzim”, tha Basha.

Vedat Morina, përfaqësues i një operatori kabllor në Kosovë, tha se trajtimi i ankesave brenda katër muajve është i papranueshëm dhe pengesë për operatorët.

“Sa e pashë unë këtë draft, është mirë që të shkurtohet koha e përgjigjes. Koha e përgjigjes, kur ARKEP ka mos marrëveshje, me nenin 8 pika 6 thuhet: se “për mosmarrëveshje, mund të kthehet përgjigje deri në katër muaj. Kjo për neve nëse vonohet përgjigja katër muaj, është sikur mos me pasur përgjigje fare. Pse po e themi këtë? Për arsye se ka raste, disa ndërtues të objekteve banesore brenda dy tri ditëve presin për ta vendosur infrastrukturën në objekt. Në qoftë se ajo nuk ndodhë nga ne në këtë kohë, punët fizike kanë përfunduar dhe nuk kemi qasje në atë objekt”, tha Morina.

Ndërsa, Dardan Makolli, përfaqësues i një kompanie tjetër kabllore në Kosovë, ka kërkuar që tarifat të jenë standarde dhe të njëjtat të përcaktohen nga ana e ARKEP-it. Ai po ashtu ka kërkuar që me këtë ligj të parashihet që komunat të bartin përgjegjësinë e ndërtimit të infrastrukturës kabllore.

“I kemi disa komente në lidhje me përmbajtjen e tij, së pari duke u bazuar në praktikat ndërkombëtare, e sidomos në vendet e rajonit dhe më gjerë kemi parë në vazhdimësi që ndërtimi i rrjetit të komunikimeve publike në vendet e tjera ka filluar të bëhet edhe nga organet e qeverisjes lokale, nga komunat. Për këto raste, arrihen marrëveshje për shfrytëzim të atij rrjeti. Prandaj, duke i parë këto praktika, e kishim parë të arsyeshme që një rast i tillë të parashihet edhe me projektligj… Sa i përket tarifave, ne si operatorë, na kërkohet varësisht nga lokacioni. Për rrugë nacionale apo lokale kërkohet të aplikojmë në Ministri të Infrastrukturës, ose në njërën nga 38 komunat e Kosovës. Prandaj, secila komuna ka rregullore komunale dhe ka një diskrepancë të madhe. Kemi hasur në praktika gjatë aplikimit për leje, ku në një komunë kemi paguar një shumë të caktuar, në komunën tjetër ndoshta ka qenë 10 fish më shtrenjtë”, tha ai.

Projektligji për masat për uljen e kostos së shtrirjes së rrjeteve të komunikimeve elektronike të shpejtësisë së lartë, ditë më parë është miratuar në lexim të parë nga Kuvendi i Kosovës.

Exit mobile version