Njohës të ekonomisë në Kosovë po kërkojnë me ngulm heqjen e menjëhershme të taksës prej 10 për qind ndaj importeve nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke e cilësuar atë si një veprim të papranueshëm që po dëmton rëndë raportet strategjike dhe zhvillimin ekonomik të vendit.
Duke e quajtur këtë taksë “të pajustifikueshme dhe të dëmshme”, njohësit e zhvillimeve ekonomike theksojnë se urgjenca për heqjen e saj nuk është vetëm ekonomike, por edhe politike dhe gjeostrategjike duke kritikon ashpër institucionet vendore.
Ish-kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu ka vlerësuar se heshtja e institucioneve të Kosovës dhe mosangazhimi serioz për heqjen e kësaj takse, po e izolon gjithnjë e më shumë vendin në aspektin ekonomik, politik dhe gjeostrategjik.
“E para është një turp i kohës për Kosovën, që një shtet shpëtimtar, një aleat strategjik, siç është SHBA të jenë të penalizuara me një taksë 10 për qind për importet, e dyta e tëra kjo e dëshmon papjekurinë institucionale në Kosovë. E treta, e tëra kjo e dëshmon që në Kosovë është varrosë definitivisht diplomacia, si politike, e në veçanti ajo ekonomike”, tha Gërxhaliu.
Eksportet e Kosovës drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës kanë pësuar rënie gjatë pesëmujorit të parë të vitit 2025, në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2024. Sipas të dhënave zyrtare, nga janari deri në maj 2025, Kosova eksportoi drejt SHBA-së rreth 10.04 milionë euro, ndërsa në pesëmujorin e parë të vitit 2024 kjo shifër ishte rreth 23.79 milionë euro.
Pra, një tkurrje prej mbi 57.8 për qind, në më shumë se 13.7 milionë euro më pak mallra të eksportuara drejt SHBA-së.