UBT News

Kërkohet angazhim i diplomacisë parlamentare për ish-krerët e UÇK-së dhe mbikëqyrje e Ligjit për Dhomat e Specializuara

Në mbledhjen e sotme të Komisionit për Punë të Jashtme u kërkua rritja e angazhimit përmes diplomacisë parlamentare për mbrojtjen e ish-krerëve të UÇK-së, si dhe mbikëqyrja e zbatimit të Ligjit për Dhomat e Specializuara. Deputeti i PDK-së, Elmi Reçica, theksoi se çështja e të akuzuarve dhe të dënuarve në shkallë të parë në Hagë duhet të jetë ndër prioritetet kryesore të planit të punës, duke shfrytëzuar grupet e miqësisë për mbrojtje diplomatike, ligjore dhe lobuese.

Nga ana tjetër, deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj, propozoi përcaktimin e mbikëqyrjes ligjore si obligim parlamentar për këtë sesion. Ndërkaq, deputeti i LDK-së, Lutfi Haziri, nënvizoi nevojën për një mekanizëm mbikëqyrës ndërmjet Kuvendit dhe institucioneve përgjegjëse sa i përket procesit të dialogut me Serbinë dhe zhvillimeve që lidhen me Dhomat e Specializuara.

Kryetarja e Komisionit, Arbëreshë Kryeziu-Hyseni, theksoi rëndësinë e ndërtimit të një strategjie të përbashkët që tejkalon bindjet partiake në interes të vendit. Në këtë mbledhje, e cila ishte e para pas konstituimit të komisionit më 13 shtator, u miratua edhe Projektligji për ndryshimin e ligjit për ndarjet buxhetore. /Kosova Press/

Exit mobile version