Në Shkodër, Dita Ndërkombëtare e Muzeve, e cila kremtohet çdo 18 maj, pritet të sjellë një fundjavë të pasur me art, traditë dhe histori për të gjithë vizitorët. Institucione të ndryshme si Bashkia e Shkodrës, DRTK Shkodër, Muzeu Marubi dhe të tjerë janë bashkuar për të ofruar një gamë të gjerë aktivitetesh dhe ngjarjesh kulturore, të fokusuara në edukim, kërkim shkencor dhe promovim të vlerave muzeore të qytetit.
Festa fillon të premten, më 17 maj, në Kalanë e Rozafës, e quajtur si “kalaja e mrekullive” për këtë rast. Aktivitetet do të përmbajnë biseda, ekspozita arkeologjike, trashëgimi kulturore, pikturë, muzikë dhe argëtim për fëmijët.
Kryetari i Bashkisë Shkodër, Benet Beci, ka ndarë në rrjetet sociale një kalendar të eventeve të fundjavës, duke shkruar se do të jetë një fundjavë plot art, traditë dhe histori.
Në programin e datës 17 janë përfshirë workshop-i “Komunizmi përmes dokumenteve arkivore”, instalacioni “Zërat e kujtesës”, një ekspozitë e dorëshkrimeve të vjetra, ekspozita mbi xhubletën në Muzeun “Oso Kuka”, si dhe “Muzat”, një performancë poetike. Edhe një ekspozitë e arkitekturës pritet të mbahet të premten, mësohet nga Agjencia Telegrafike Shqiptare.
Më datën 18 maj, përveç aktiviteteve të mëparshme, pritet të zhvillohet një ekspozitë e partiturave, e shoqëruar nga një koncert vokal me vepra të kompozitorëve të qytetit. Gjithashtu, në Muzeun e Fotografisë “Marubi” do të mbahen punëtori si “Magjia e fotografisë” dhe “Manjikana”, frymëzuar nga kultura japoneze, ndërsa vizitat me guidë do të ofrohen në ekspozitën e dinastisë Marubi. /UBTNews/