Manchester United po përballet me mungesë të kopjeve të fanellës origjinale të Cristiano Ronaldos, meqë pas kthimit të tij në United kërkesat për fanellën me emër të Ronaldos janë të mëdha.
Furnizuesi i veshjeve të United, Adidas tashmë duhet të përballet me vonesa të konsiderueshme në prodhim për shkak të mbylljes së fabrikave në Vietnam, prej nga zakonisht vjen 28 përqind e prodhimit të gjigantit të veshjeve sportive. Situata u komplikua edhe më shumë pas kthimit të Ronaldos në Old Trafford.
Ronaldo do ta ketë sërish numrin 7 dhe kjo ka krijuar zhurmë të madhe te fansat e tij që nxituan për ta blerë fanellën. Një zëdhënës i Adidas i tha The Independent se po punojnë bashkërisht me United për të përmbushur kërkesat jashtëzakonisht të larta të tifozëve, por s’do të kenë mjaftueshëm produkte sa ka kërkesa.
Në uebfaqen e United thuhet se disa fanella që mbajnë emrin e Ronaldos s’do të mund të shiten deri në nëntor./UBTNews