UBT News

Keqpërdorimi i 2.1 milionë eurove të Thesarit, Prokuroria thotë se janë ngrirë 34 llogari bankare

Prokuroria Speciale e Kosovës njofton se dy persona janë në paraburgim lidhur me rastin e keqpërdorimit të 2.1 milionë eurove në Thesarin e Shtetit, janë ngrirë 34 llogari bankare, janë ngrirë 600 mijë euro, si dhe janë sekuestruar katër automjete, vlera e përafërt e të cilave është 100 mijë euro.

“Deri më tani janë intervistuar bartës të llogarive në të cilat janë transferuar të hollat, është bërë intervistimi i dëshmitarëve, analizimi i dokumentacionit, hetimi financiar dhe identifikimi i pronave. Gjithashtu, ju njoftojmë se janë ngrirë 34 llogari bankare, të bizneseve në të cilat janë transferuar të hollat nga i pandehuri K.Sh, pronar i (LDA Group Sh.p,k). Vlen të theksohet se deri më tani shuma e përgjithshme e ngrirë është rreth 600,000 euro, janë sekuestruar 4 automjete vlera e përafërt e të cilave është 100,000 euro”, thuhet në njoftimin për media të Prokurorisë Speciale të Kosovës.

Prokuroria Speciale njofton se në kuadër të bashkëpunimit juridik ndërkombëtar, kanë bërë dy (2) kërkesa adresuar autoriteteve të Republikës së Turqisë, lidhur me transferin prej 440 mijë euro, të realizuara nga llogaria e LDA Group Sh.p,k, në pronësi të të pandehurit K.Sh, në llogarinë e një biznesi me seli në Republikën e Turqisë. Është kërkuar ngrirja e llogarisë së identifikuar, është bërë identifikimi i bartësit/pronarit të llogarisë, personat e autorizuar, si dhe janë shikuar pasqyrat e transaksioneve./UBTNews

Exit mobile version