UBT News

Kepi i Gjelbër debuton me barazim historik ndaj Spanjës

Kepi i Gjelbër ka nisur historinë e tij në Kupën e Botës me një rezultat të madh, duke barazuar 0:0 ndaj Spanjës në ndeshjen e parë të turneut.

Debutuesit arritën të ndalin një nga favoritët kryesorë të kompeticionit, Spanja, në një ndeshje ku spanjollët dominuan në posedim dhe raste, por nuk arritën të gjejnë rrugën e rrjetës.

Pas takimit, trajneri i Kepit të Gjelbër, Pedro Leitão Brito, e vlerësoi paraqitjen e skuadrës si historike për vendin e tij.

“Kjo do të thotë gjithçka për vendin tonë. Kemi treguar organizim, guxim dhe rezistencë,” tha ai.

Heroi i ndeshjes ishte portieri veteran Vozinha, i cili me pritje vendimtare ndaj rasteve të Ferran Torres dhe Pedri mbajti portën të paprekur dhe u shpall lojtari i ndeshjes.

Nga ana tjetër, trajneri i Spanjës, Luis de la Fuente, pranoi se skuadra e tij nuk arriti të konkretizojë rastet, pavarësisht dominimit në fushë.

Spanja mbetet favorite në grup, ndërsa Kepi i Gjelbër e nis turneun me një pikë historike në debutimin e tij në skenën botërore.

D.L

Exit mobile version