Portieri i Chelseat, Kepa Arrizabalaga ka thyer heshtjen e tij pasi humbi penalltinë vendimtare në humbjen e finales së Carabao Cup ndaj Liverpool-it.
Reprezentuesi spanjoll u fut në lojë për të zëvendësuar Edouard Mendyn në minutat e fundit të kohës shtesë në “Wembley” të dielën, në mënyrë që ai të mund të priste penalltitë pasi 120 minutat nuk arritën të nxirrnin një fitues.
20 penalltitë e para përfunduan në rrjetë, duke bërë që portierët e dy skuadrave duhej të zgjidhnin fatin e takimit, me Caoimhin Kelleher që shënoi për Liverpool-in përpara se Kepa të dështonte.
Kepa u ngushëllua nga shokët e skuadrës pasi goditja e tij përfundoi në tribuna por është zotuar të rikthehet më i fortë.
Kepa që mbetet portieri më i shtrenjtë në futbollin botëror, pasi u transferua në “Stamford Bridge” për 71 milionë funte në verën e vitit 2018, ka postuar në rrjetet sociale shkrimin: “Të biesh dhe të ngrihesh”.
“I zhgënjyer pas përpjekjes së madhe gjatë ndeshjes. Ne vazhdojmë të punojmë. Faleminderit familjes Chelsea për mbështetjen tuaj”, ka shtuar ai.