E fejuara e gazetarit të vrarë, Jamal Khashoggi, i ka bërë thirrje këngëtarit Justin Bieber që ta anulojë koncertin e tij të ardhshëm në Arabinë Saudite, që do të mbahet muajin e ardhshëm.
Këngëtari kanadez është ndër yjet që do të performojnë në Formula One Grand Prix të mbretërisë në Jeddah. Por Hatice Cengiz i shkroi një letër të hapur Bieberit duke i kërkuar atij që të “dërgojë një mesazh të fuqishëm” me të cilin paralajmëron tërheqjen.
Khashoggi, një kritik i shquar i regjimit saudit, u vra në konsullatën e tij në Stamboll në tetor të vitit 2018. Ai kishte shkuar atje për të marrë certifikatën e martesës. Trupi i gazetarit u copëtua ndërsa zonja Cengiz priste jashtë.
“Mos këndoni për vrasësit e Jamalit tim të dashur”, shkroi zonja Cengiz në letrën e publikuar në Washington Post.
Ajo tha se Bieber ka një “mundësi unike” për të treguar se “emri dhe talenti i tij nuk do të përdoren për të rivendosur reputacionin e një regjimi që vret kritikët e tij”.
Bieber do të performojë në garën F1 më 5 dhjetor, krahas artistëve A$AP Rocky, David Guetta dhe Jason Derulo./UBTNews