Muzika e këngës nacionaliste serbe kundër Kosovës është interpretuar në Bruksel, gjatë hapjes së Forumit të Zgjerimit të Bashkimit Evropian, një aktivitet i organizuar nga Komisioni Evropian nën udhëheqjen e komisioneres për zgjerim, Marta Kos. Edicioni i dytë i këtij Forumi ka nisur sot dhe përfundon të hënën, ndërsa Kosova nuk është e ftuar në të.
Një ditë para ngjarjes kryesore, në kuadër të mbrëmjes hapëse më 15 nëntor, ku sipas programit ishte paraparë të interpretonte Orkestra e të Rinjve të Ballkanit Perëndimor së bashku me grupin slloven “Kapobanda”, u luajt edhe muzika e këngës nacionaliste serbe “Oj Kosovo, Kosovo”. Ndërkohë, në programin e ditës kryesore, më 16 nëntor, është paraparë të mbajnë fjalime presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, presidenti i Finlandës, Alexander Stubb, komisionerja Marta Kos, si dhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.
Lidhur me këtë ngjarje, ekspertja e politikës së jashtme, Donika Emini, e cila do të jetë një nga folëset në forum si themeluese e think-tankut “d-square”, ka shpjeguar për KOHËN se aktiviteti kishte për qëllim trajtimin e çështjeve të Ballkanit Perëndimor dhe parashihte interpretimin e këngëve të vendeve kandidate dhe atyre të përfshira në procesin e zgjerimit. Sipas saj, pasi orkestra kishte luajtur këngë nga vende të tjera, situata ndryshoi kur erdhi radha e Kosovës, pasi këngëtari nuk e këndoi tekstin, ndonëse titulli u shfaq në ekran.
“Doli titulli i këngës që ishte shumë problematik dhe më pas u interpretua vetëm instrumental”, ka treguar Emini. Ajo shtoi se pjesëmarrësit nga Kosova dhe Shqipëria mbetën të shokuar nga kjo situatë. “Unë u shokova, dola menjëherë jashtë dhe e lëshova sallën. Duke dalë, u kam folur edhe pjesëmarrësve të tjerë nga Kosova dhe kam kërkuar të di se kush e kishte zgjedhur këtë këngë dhe kush ishte përgjegjës”, ka deklaruar ajo.
Pas këtij incidenti, ka reaguar ashpër kryenegociatori i Kosovës me Bashkimin Evropian, Jeton Zulfaj, i cili e ka cilësuar ngjarjen si skandaloze dhe të papranueshme, duke kërkuar përgjigje nga komisionerja Marta Kos.
“Një këngë nacionaliste serbe, që mohon shtetësinë e Kosovës dhe që u shkrua në kohën kur kasapi i Ballkanit, Millosheviqi, po i shfuqizonte të drejtat e Kosovës dhe po e shtypte popullin tonë, u interpretua në hapje të Forumit të Zgjerimit të BE-së. Kjo është skandaloze e papranueshme. Një aktivitet i BE-së për zgjerimin nuk mund t’i japë skenë nacionalizmit serb. Komisioneres Kos ia lëmë të shpjegojë se si ndodhi kjo dhe çfarë masash do të ndërmarrë, si dhe pse Kosova, vendi me përparimin më të madh demokratik në Ballkanin Perëndimor gjatë kësaj dekade dhe plotësisht e harmonizuar me politikën e jashtme dhe vlerat e BE-së, nuk ishte ftuar”, ka shkruar Zulfaj në platformën “X”.
Reagim të menjëhershëm ka pasur edhe nga kryenegociatori i Kosovës për dialogun me Serbinë, Agron Bajrami, i cili po ashtu e ka quajtur të papranueshëm interpretimin e kësaj kënge në një aktivitet zyrtar të Komisionit Evropian dhe ka kërkuar sqarime për mënyrën e përzgjedhjes dhe miratimit të repertorit.
“Në koncertin e hapjes së Forumit të Zgjerimit të BE-së në Bruksel, të organizuar nga Komisioni Evropian nën drejtimin e komisioneres Marta Kos, u interpretua kënga nacionaliste serbe “Oj Kosovo, Kosovo”. Ky nuk është shkëmbim kulturor. Kënga promovon pretendime të qarta politike mbi territorin e Republikës së Kosovës. Përfshirja e saj në një aktivitet zyrtar të Komisionit Evropian, kushtuar zgjerimit, unitetit dhe marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë, është e papranueshme. Republika e Kosovës pret një sqarim të menjëhershëm nga Komisioni Evropian dhe komisionerja Kos lidhur me mënyrën se si u përzgjodh dhe u miratua ky repertor. Vlerat evropiane, marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë dhe besueshmëria e procesit të zgjerimit të BE-së nuk mund të pajtohen me dhënien e një platforme pretendimeve irredentiste kundër një vendi që synon anëtarësimin në Bashkimin Evropian”, ka shkruar Bajrami në platformën “X”.
