Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) ka organizuar ceremoni solemne për pranimin e 180 punëtorëve të rinj që do t’i bashkohen korporatës.
Kryeshefi ekzekutiv i KEK-ut, Gramos Hashani, theksoi se ky moment është dëshmi se KEK-u nuk po ndalet vetëm në investimet kapitale, por edhe në shtimin e kapaciteteve vetanake.
“Përmes këtij punësimi, KEK-u po rifreskon fuqishëm stafin. Vetëm pak vite më parë, mosha mesatare e punëtorëve në korporatë ishte mbi 56 vjet. Me hyrjen tuaj, ne po e ulim ndjeshëm këtë mesatare, duke i dhënë KEK-ut energjinë rinore, gjallërinë dhe dijen e re që kërkohet për ta përballuar operimin e njësive ekzistuese dhe tranzicionin energjetik të vendit,” tha ai.
Kryesuesi i Bordit të Drejtorëve, Valdrin Krasniqi, tha se Korporata Energjetike e Kosovës ka qenë përherë shtylla kryesore e sistemit energjetik.
“Ju, punëtorë të rinj, jeni garancia që kjo shtyllë jo vetëm që do të mbetet e fortë, por do të forcohet edhe më shumë, duke e bërë KEK-un të gatshëm për sfidat e së nesërmes”, tha ai.
Ndërsa, zëvendësministri në detyrë i Ekonomisë, Getoar Mjeku tha KEK-u është shtyllë e zhvillimit ekonomik të vendit.
KEK-u thotë se pranimi i punëtorëve të rinj përfaqëson një nga investimet më të qëndrueshme në burimet njerëzore.