Filmi i shkurtër kosovar “Keep Going” është përzgjedhur për edicionin e sivjetmë të DokuFest, duke shënuar një tjetër prezantim të rëndësishëm për kinematografinë vendore.
Lajmi u bë i ditur nga ekipi realizues i filmit, i cili shprehu kënaqësinë për këtë përzgjedhje dhe falënderoi aktorët, ekipin artistik e teknik, si dhe të gjithë mbështetësit që kontribuuan në realizimin e projektit.
Në kastin e filmit bëjnë pjesë Eli Gashi, Luan Jaha, Adriana Matoshi dhe Era Balaj.
Skenari dhe produksioni janë realizuar nga Valmira Hyseni dhe Zgjim Terziqi, ndërsa drejtor i fotografisë është Almir Gjikolli. Ekipi krijues përfshin gjithashtu Leart Rama në montazh, Pellumb Ballata në dizajnin e zërit, Gazmend Nela në kolorim dhe Blerim Shala në skenografi.
Filmi është realizuar me mbështetjen e Qendrës Kinematografike të Kosovës, si dhe partnerëve Ujë Rugove dhe Onix Spa & Thermal Resort.
Me këtë përzgjedhje, “Keep Going” do të shfaqet para publikut të DokuFest në Prizren, duke iu bashkuar një prej festivaleve më të rëndësishme të filmit në rajon./A.K/
