KEDS-i është gjobitur sërish nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Industrisë (MINT) për parregullsi në njehsorët elektrikë. kësaj radhe me 40 mijë euro.
Në njoftimin e MINT-it thuhet se në mbledhjen e Këshillit për Mbrojtjen e Konsumatorit janë prezantuar informata lidhur me aksionet e Inspektoratit Qendror të Mbikëqyrjes së Tregut, të fokusuara në monitorimin e çmimeve të derivateve, njehsorëve elektrikë dhe produkteve të qumështit me bazë bimore në treg.
Sipas rezultateve të verifikimit, vetëm gjatë dy ditëve të fundit në laboratorin e Agjencisë së Metrologjisë janë kontrolluar 19 njehsorë elektrikë. Prej tyre, shtatë kanë rezultuar me afat të skaduar të vlefshmërisë, ndërsa një tjetër është konstatuar pa lejim tipi.
“Raportet zyrtare të laboratorit janë proceduar në Inspektoratin Qendror të Mbikëqyrjes së Tregut për ndërmarrjen e masave ligjore dhe shqiptimin e gjobave ndaj KEDS-it, në vlerë prej 40 mijë eurosh”, thuhet në njoftim.
KEDS-i kishte njoftuar më herët se do të dëmshpërblejë të gjithë konsumatorët e dëmtuar nga pasaktësitë e mundshme tarifore në faturimin e energjisë elektrike.
Kjo është gjoba e katërt ndaj kompanisë lidhur me çështjen e njehsorëve elektrikë. Më 4 maj, KEDS-i ishte gjobitur me 90 mijë euro. Fillimisht, kompania ishte ndëshkuar me 6 mijë euro për dy njehsorë me afat të skaduar, ndërsa më pas edhe me 30 mijë euro për gjashtë njehsorë të tjerë me afat të skaduar të vlefshmërisë.
Çështja e parregullsive në njehsorët elektrikë u bë publike pas raportimeve të KOHËS, ndërsa më pas reagoi edhe Lidhja Demokratike e Kosovës.
Ndërkohë, në fillim të muajit prill, Prokuroria Themelore në Prishtinë autorizoi Policinë e Kosovës që të zhvillojë hetime lidhur me dyshimet për parregullsi në njehsorët elektrikë të shpërndarësit të energjisë elektrike.
