Kryeshefi Ekzekutiv i KEDS-it Alpin Dogan deklaroi sot se janë bërë përgatitjet e nevojshme për sezonin e dimrit, por sipas tij sfidë mbetet importi i energjisë elektrike për shkak të shifrave rekorde të çmimeve në tregjet ndërkombëtare.
Ai këto komente i bëri sot në takim me kryetarin e Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi, me të cilin ka biseduar mbi situatën aktuale të furnizimit me energji elektrike, me fokus te bizneset.
“Sa i përket rrjetit elektrik, KEDS si çdoherë, ka bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme në terren. Janë ndërmarrë veprime konkrete të cilat do të mundësojnë shpërndarje të mirëfilltë të energjisë te konsumatori. Mirëpo, kriza energjetike sigurisht që ka prekur edhe Kosovën. Çmimi i importit të energjisë është shumëfishuar derisa furnizimi gjatë dimrit do të ndikohet nga shumë faktorë. Shfrytëzimi i energjisë për ngrohje dhe rritja e vazhdueshme e kërkesës për energji, rrjedhimisht nevoja për import më të lartë, do të jenë ndër sfidat kryesore këtë dimër”, tha Dogan.
Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi, shprehu gatishmërinë e tij për të bashkëpunuar, në mënyrë që kjo krizë të tejkalohet pa pasoja për bizneset.
“Ne si Odë, gjatë kësaj kohe, do të jemi në koordinim të vazhdueshëm dhe komunikim të përditshëm me bizneset, për t’i informuar me rrjedhën e furnizimit me energji elektrike, në mënyrë që ata sa më pak të afektohen në veprimtaritë që ushtrojnë”, tha Rukiqi.
KEDS dhe Oda Ekonomike e Kosovës u pajtuan që të vazhdojnë komunikimin e deritanishëm dhe në bashkëpunim me institucionet të shqyrtohen propozimet dhe rekomandimet, në mënyrë që kriza të tejkalohet me sukses.
Ndryshe, KEDS është duke realizuar takime informuese ndër institucionale me akterë të ndryshëm në vend, me qëllim që të gjendet zgjidhje për tejkalimin e krizës energjetike e cila ka prekur edhe Ballkanin.