Komisioni Evropian pranoi se në raportin vjetor të monitorimit për shtetet që kanë liberalizim të vizave, të publikuar më 5 dhjetor, gabimisht ka vendosur një pasus, ku Maqedonisë së Veriut dhe Malit të Zi u është kërkuar që t’i vendosnin regjim vizash Kosovës.
Nga KE-ja thanë se nuk ka asnjë ndryshim në qëndrimet e saj dhe se mbështesin fuqishëm liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës.
“Mund të konfirmoj se nuk ka absolutisht asnjë ndryshim në qëndrimet e Komisionit Evropian dhe ne, absolutisht, e mbështesim lirinë e lëvizjes në rajon”, tha në një konferencë për media zëdhënësi i KE-së, Eric Mamer.
Pasusi i lartpërmendur është shoqëruar me arsyetimin se Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi nuk i kanë përshtatur politikat e vizave me ato të BE-së.
Aktualisht, Kosova nuk ka liberalizim vizash me vendet e BE-së, që përbëjnë pjesën më të madhe të zonës me lëvizje të lirë, të njohur si Schengen.
Megjithatë, javën e kaluar, zyrtarë të BE-së kanë miratuar një vendim, i cili thotë se liberalizimi i vizave për Kosovën do të hyjë në fuqi jo më larg se më 1 janar të vitit 2024.
Zëdhënësja për çështje të brendshme e KE-së, Anitta Hipper, tha të martën se KE-ja “mbështet tërësisht lirinë e lëvizjes në rajon” dhe “liberalizimin e vizave për Kosovën, si çështje me prioritet”.
“Sa i përket çështjes specifike nga rajoni, jemi duke e përmirësuar dhe do të dalë versioni i përmirësuar”, tha ajo për pasusin e vendosur fillimisht në raportin e KE-së.
Ky pasus shkaktoi reagime në mesin e disa zyrtarëve kosovarë.
Ambasadori i Kosovës në Bruksel, Agron Bajrami, e cilësoi si “të papranueshme” kërkesën për regjimin e vizave, por më pas shtoi se KE-ja do ta përmirësojë këtë gabim./REL