Bashkimi Evropian ka siguruar rreth pesë miliardë doza të vaksinës antiCOVID-19 për dy vjetët e ardhshëm, deklaroi sot komisionari i Komisionit Evropian Margaritis Schinas në seancën plenare të Parlamentit Evropian në Strasburg.
Schinas vuri në dukje se programi i vaksinimit në BE po evoluon pavarësisht presioneve të mëdha të krijuara nga lufta kundër pandemisë.
“Këto janë vaksina të besueshme, të testuara shkencërisht dhe të vërtetuara nga organe të pavarura. Tani duhet të bindim të gjithë ata qytetarë që nuk janë vaksinuar ta bëjnë këtë. Së bashku duhet të bëjmë atë hapin e fundit dhe do t’ia dalim”, tha ai.
Presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, tha se në një kohë kur numri i të infektuarve po rritet, është thelbësore të sigurohen masa efektive, duke theksuar se kjo është veçanërisht e vërtetë për zbatimin adekuat të fushatës së vaksinimit.
“Ne duhet të bëjmë gjithçka që mundemi për të luftuar dezinformimin dhe hezitimin për të vaksinuar,” shtoi Michel.
Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen tha se aktualisht ka dallime të mëdha në mbulimin e vaksinimit në Bashkimin Evropian.
“Në disa shtete anëtare, mezi 29 për qind e popullsisë së rritur është vaksinuar dhe në të tjera më shumë se 92 për qind,” tha shefja e KE-së, duke vënë në dukje se “ne duhet të kuptojmë më mirë pse disa njerëz nuk e duan vaksinën”.
“Ne duhet t’i informojmë njerëzit, t’u shpjegojmë pse duhet të vaksinohen. Ne kemi mjaft vaksina për të gjithë në Evropë”, përfundoi ajo.
Debati në Parlamentin Evropian u trajtua me konkluzionet e mbledhjes së fundit të Këshillave Evropianë, dhe përveç pandemisë, në fokus ishte edhe problemi i krizës së emigrantëve në kufirin Bjellorusi dhe rritja e çmimit të energjisë.