UBT News

KE kërkon hetim: Policia kroate dhe greke dhunoi emigrantët në kufi

Komisioni Europian kërkoi të hetohet keqtrajtimi i emigrantëve të paligjshëm në kufijtë e bllokut, pasi një investigim i mediave Liberation, Der Spiegel dhe ARD, dokumentoi sprapsjen me dhunë të emigrantëve nga ata që thuhet të jenë forca greke dhe kroate.

Një praktikë e tillë është e paligjshme sipas rregullave të Bashkimit Europian. Mediat pretendojnë se kanë 11 xhirime që tregojnë largimin me forcë të emigrantëve nga policia kroate drejt Bosnjë Hercegovinës, e po ashtu video që tregojnë sprapsjen e dhunshme të emigrantëve nga forcat greke në detin Egje. Në një prej tyre, shfaqet një person i maskuar, që mendohet të jetë polic kroat, teksa qëllon me shkop një qytetar. Komisionerja për çështje e brendshme të BE, Ylva Johansson tha se duhej zhvilluar një hetim.

“Raportet sugjerojnë se ata njerëz po bëhen viktima të dhunës në kufijtë tanë të jashtëm. Nëse kjo është e vërtetë është totalisht e papranueshme. Prandaj është e nevojshme që të zhvillohen hetime”.

Sipas ligjit humanitar ndërkombëtar, qytetarët kanë të drejtën të kërkojnë azil dhe është e ndaluar të kthesh mbrapsht azilkërkues të mundshëm në vendet ku mund të jenë në rrezik.

Por këto parime shpesh janë shpërfillur gjatë viteve të fundit të Europë, ndërsa kontinenti i vjetër përballej me fluks të shtuar emigrantësh nga Lindja e Mesme, Azia dhe Afrika. KE ka kundërshtuar vazhdimisht praktikat e dhunshme në kufi, por sipas organizatës Amnisti International, krahu ekzekutiv i bllokut vazhdonte të bënte një sy qorr ndaj shkeljes së ligjeve të BE, madje duke financuar operacionet kufitare në disa vende.

Exit mobile version