UBT News

KDI: Po shkelet Kushtetuta, konstituimi i Kuvendit rrezikon të hyjë në fazë të re të bllokadës

Hulumtuesi i lartë në KDI, Vullnet Bugaqku, tha se procesi i konstituimit të Kuvendit nuk ka përfunduar për shkak të mosvotimit të kandidaturës së propozuar nga Lista Serbe për pozitën e nënkryetarit dhe se në këtë proces janë bërë shkelje procedurale dhe kushtetuese.

Ai paralajmëroi se situata mund të prodhojë bllokadë të re politike dhe të çojë çështjen deri në Gjykatën Kushtetuese.

Ai tha se shkelja e parë ka të bëjë me mosrespektimin e nenit 67, paragrafi 4 i Kushtetutës, sipas të cilit fillimisht e drejta e propozimit duhet t’i jepet partisë që përfaqëson komunitetin serb.

“Konstituimi i Kuvendit ende nuk ka përfunduar për faktin që ka mbetur peng votimi për çështjen e nënkryetarit të propozuar nga subjekti politik që përfaqëson komunitetin serb, Lista Serbe. Edhe pse katër herë radhazi ai u propozua nga partia Lista Serbe, megjithatë deputetët e Kuvendit të Kosovës hezituan që ta votonin dhe hezituan ta zgjedhin një nënkryetar të propozuar nga ky subjekt politik. Personalisht vazhdoj të kem bindjen që janë kryer disa shkelje procedurale e kushtetuese ditën e djeshme me rastin e procedurës së propozimit dhe votimit të kandidatëve për anëtarë të kryesisë nga radhët e komuniteteve jo shumicë. Shkelja e parë, mendoj që kryetari i Kuvendit do të duhej që sipas radhitjes, siç përcaktohet në paragrafin 4 të nenit 67 të Kushtetutës, fillimisht t’i jepet e drejta e propozimit të partisë që përfaqëson së pari komunitetin serb në Kuvendin e Kosovës dhe më pas kandidatura e dytë të vijë nga partitë e komuniteteve të tjera që janë jo shumicë”, tha ai.

Bugaqku shtoi se procedura e votimit është devijuar nga praktika dhe është zëvendësuar me short, duke krijuar hapësirë për manipulim.

Ai tha se domosdo do të duhej që të lejohej që procedura për propozimin e nënkryetarit nga Lista Serbe të aplikohej dhe rrjedhimisht t’i nënshtrohej procedurës së votimit.

 

Exit mobile version