Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF), dhe misioni i USAID në Kosovë, kanë nisur sot një dialog mbarëkombëtar në kuadër të Programit për Angazhim Qytetar, dialog i cili ka filluar në rajonin e Prizrenit dhe do të vazhdojë në shtatë rajone të tjera në Kosovë.
Në ngjarjen e parë publike që u mbajt sot, për lansimin e këtij programi, qytetarë, përfaqësues nga sektori privat, institucioneve publike dhe organizatave të shoqërisë civile nga Prizreni, Malisheva, Suhareka, Mamusha dhe Dragashi, u mblodhën në Kinema “Lumbardhi”, për të diskutuar mbi mundësitë e angazhimit dhe veprimeve të përbashkëta për të ndërtuar komunitete më të fuqishme dhe mjedise më të mira jetese për qytetarët që jetojnë në këtë rajon.
Drejtori ekzekutiv i KCSF-së, Taulant Hoxha, ka treguar më shumë për këtë program, teksa ka thënë se nuk ka shoqëri civile pa njerëzit dhe komunitetet.
Sipas tij, programi do të zgjasë pesë vite, ku do të punohet për krijimin e hapësirave publike që të krijohet bashkëpunim brenda sektorit të shoqërisë civile dhe me sektorët e tjerë.
“Sot bashkë me USAID-in, e filluam një dialog me qytetarët e Kosovës se si duhet përmirësuar angazhimin qytetar në jetën publike. Programi për angazhim qytetar është një program që ka filluar në muajin gusht të vitit të kaluar dhe do të zgjasë për pesë vite, i financuar nga USAID, që do të punojë për krijimin e hapësirave, mjeteve dhe ambientit të përshtatshëm ligjor që qytetarët të angazhohen në shoqëri civile dhe me jetën publike që të krijohet bashkëpunim brenda sektorit të shoqërisë civile, e sidomos me sektorët e tjerë dhe gjithashtu për të siguruar modele të qëndrueshme të shoqërisë civile përtej financimit, prej donatorëve ndërkombëtar. Sot ka pasur pjesëmarrje shumë të mirë prej aktivisteve të qytetit të Prizrenit, organizatave të shoqërisë civile, institucioneve komunale të gjithë rajonit jo vetëm të qytetit të Prizrenit por edhe të Dragashit, Suharekës, Malishevës dhe Komunës së Mamushes”, tha ai.
James Evans Butler, ushtrues i funksionit të drejtorit të Zyrës për Demokraci dhe Qeverisje në USAID në Kosovë, ka thënë se Programi për Angazhim Qytetar përfaqëson një qasje të re të USAID në mënyrën se si mbështet dhe angazhohet me shoqërinë civile, ndërsa ka shtuar se kjo është mundësi e mirë që së bashku të bëhet një mësim interaktiv.
“E kemi një histori të gjatë të mbështetjes në Kosovë, mirëpo kjo histori ka qenë më shumë në përpjekjeje të avokimit, ndërsa qasja jonë e re është përkrahja në mbështetjen e qëndrueshmërisë në shoqërinë civile…Ne dëshirojmë të propozojmë edhe mënyra të tjera të angazhimit, meqë edhe ne jemi duke shikuar në rritjen e mundësisë që të përfshihet me qeverinë dhe sektorin privat…Është një mundësi për ne që së bashku të bëjmë një mësim interaktiv me gjithë ju”, tha ai.
Programi për Angazhim Qytetar është një iniciativë pesëvjeçare e zbatuar nga KCSF në partneritet me USAID-in në Kosovë. Qëllimi kryesor i këtij partneriteti është të nxisë një kulturë aktivizimi që e bën jetën në lagjet dhe qytetet tona më të mirë, më të kujdesshme dhe kuptimplotë. Nëpërmjet punës së tij, Programi për Angazhim Qytetar do të realizohen një numër i aktiviteteve të bazuara në tre shtylla thelbësore: Angazhimin e komunitetit, besimin ndërshoqëror dhe zgjerimin e mobilizimin e burimeve.