Policia gjermane ka arrestuar një punonjëse 51-vjeçare të Klinikës Oberlin në Potsdam të Gjermanisë, nën dyshimet se ka vrarë katër persona. Policia ka njoftuar se të mërkurën, rreth orës 21:00, janë gjetur disa persona me lëndime fatale në disa dhoma të një reparti.
“Në bazë të informacioneve fillestare, të gjitha lëndimet e viktimave ishin si rezultat i një dhune serioze nga një palë e tretë”, njoftoi policia.
Sipas gazetës rajonale Tagesspiegel, viktimat ishin pacientë, disa prej tyre me aftësi të kufizuara, gjendja e të cilëve ishte aq e rëndë sa kishin nevojë për oksigjeno-terapi.
Tutje sipas burimeve policore, e dyshuara i kishte treguar burrit të saj për aktin të cilin e kishte kryer, ku ky i fundit e kishte njoftuar policinë.
E dyshuara aktin e kishte kryer me një thikë dhe motivi pse e ka kryer këtë akt ende mbetet i panjohur./UBTNews
(Margarita Llausha, Media dhe Komunikim)