UBT News

Katër raste të dhunës në familje në Kosovë brenda një dite

Në raportin e Policisë së Kosovës janë regjistruar katër raste të dhunës në familje, të cilat kanë ndodhur në Fushë Kosovë, Gjilan, Pejë dhe Mitrovicë të Jugut.

Në Fushë Kosovë, policia ka arrestuar dy persona nën dyshimin se kanë ushtruar dhunë ndaj një gruaje. Viktimës i është ofruar trajtimi i nevojshëm mjekësor, ndërsa të dyshuarit, pas intervistimit, janë liruar në procedurë të rregullt.

Një rast tjetër është shënuar në Gjilan, ku është arrestuar një burrë i cili dyshohet se në vazhdimësi i ka dërguar mesazhe kërcënuese dhe shqetësuese një gruaje. Me vendim të prokurorit, ai është dërguar në mbajtje për 48 orë.

Në Pejë, policia ka prangosur një person të dyshuar për dhunë në familje. Pas intervistimit dhe në konsultim me prokurorin, i dyshuari është lënë i lirë për t’u hetuar në procedurë të rregullt.

Ndërkaq, në Mitrovicën e Jugut, një grua ka raportuar në polici se pas një mosmarrëveshjeje është sulmuar fizikisht nga një grua tjetër. Nga ky incident nuk është raportuar për persona të lënduar, ndërsa lidhur me rastin është njoftuar prokurori i shtetit. /E.A/

Exit mobile version