Në raportin 24-orësh të Policisë së Kosovës janë evidentuar katër raste të dhunës në familje, të cilat janë regjistruar në rajonin e Prishtinës dhe atë të Pejës.
Në njërin prej rasteve në Prishtinë, është arrestuar një burrë nën dyshimin se ka sulmuar fizikisht një grua. Sipas policisë, viktima ka pranuar tretman mjekësor, ndërsa i dyshuari, me vendim të prokurorit, është dërguar në mbajtje.
Edhe në rastin e dytë në kryeqytet, një person është shoqëruar në stacionin policor pasi dyshohet se ka sulmuar një grua. Rasti është denoncuar nga vetë viktima, ndërsa me vendim të prokurorit, i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt.
Ndërkaq, në Graçanicë është arrestuar një i dyshuar tjetër, i cili në gjendje të dehur ka ushtruar dhunë ndaj një gruaje. Me vendim të prokurorit, ai është dërguar në mbajtje.
Rasti i fundit është regjistruar në Pejë, ku i dyshuari, përveç se ka ushtruar dhunë në familje, ka kanosur viktimën (grua) si dhe ka dëmtuar një derë dhe një dritare të shtëpisë së saj. /E.A/
