Katër raste të reja të dhunës në familje janë regjistruar në rajone të ndryshme të Kosovës brenda 24 orëve të fundit, bën të ditur Policia e Kosovës në raportin e saj të rregullt. Ngjarjet kanë ndodhur në Podujevë, Klinë, Gjakovë dhe Skenderaj, ku në shumicën e rasteve viktimat kanë qenë bashkëshorte ose bashkëjetuese të të dyshuarve.
Në Podujevë, policia ka arrestuar një person i cili dyshohet se ka rrahur bashkëshorten e tij. Me vendim të prokurorit, pas inicimit të rastit, i dyshuari është dërguar menjëherë në mbajtje.
Një rast i ngjashëm është shënuar edhe në Klinë, ku një burrë është arrestuar nën dyshimin se ka ushtruar dhunë fizike dhe psikike ndaj gruas së tij. Si pasojë e sulmit, viktima ka pranuar tretman mjekësor dhe pas intervistimit është strehuar te familja e saj, ndërsa i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt me urdhër të prokurorit.
Dhuna fizike ka pasuar edhe në Gjakovë, ku një person ka sulmuar gruan me të cilën po bashkëjetonte. Viktimës i është ofruar ndihma e nevojshme mjekësore, ndërsa polici ka vënë në pranga të dyshuarin, i cili me urdhër të prokurorit kujdestar është dërguar në mbajtje.
Ndërkaq, në Skenderaj është raportuar për dhunë psikike të ushtruar nga një burrë ndaj bashkëshortes së tij. Pas denoncimit, policia ka intervistuar të dyja palët e përfshira në rast dhe me urdhër të prokurorit ata janë liruar në procedurë të rregullt. /E.A/
