Policia e Kosovës ka njoftuar se gjatë 24 orëve të fundit janë regjistruar katër raste të ndryshme të dhunës në familje, ku janë arrestuar tre persona dhe janë shoqëruar dy të tjerë në stacionet policore përkatëse.
Në Prishtinë janë shoqëruar në stacionin policor një grua dhe një burrë pasi pas një mosmarrëveshjeje ishin përleshur fizikisht mes vete.
Për rastin janë njoftuar Mbrojtësi i Viktimave dhe Qendra për Punë Sociale, ndërsa të dyshuarit kanë refuzuar tretmanin mjekësor dhe me vendim të prokurorit rasti procedohet në gjendje të lirë.
Një rast tjetër është shënuar në Klinë, ku është arrestuar një burrë nën dyshimin se ka ushtruar dhunë ndaj një grua, me ç ‘rast me urdhër të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje.
Në Gjakovë po ashtu është arrestuar një person për dhunë ndaj viktimës grua. Viktima nuk ka pësuar lëndime fizike dhe ka refuzuar strehimin pasi është deklaruar se ndihet e sigurt në banesën e saj, ndërsa i dyshuari pas intervistimit është dërguar në mbajtje.
Ndërkaq në Mitrovicë të Jugut, një burrë ka raportuar se një i dyshuar kishte tentuar ta godasë. I dyshuari është arrestuar menjëherë nga policia dhe me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje. /E.A/
