Policia e Kosovës në raportin e saj njëditor njofton se janë regjistruar katër raste të dhunës në familje. Rastet e raportuara janë shënuar në Gjakovë, Vitomericë dhe dy në Fushë Kosovës.
Në Fushë Kosovë janë arrestuar dy persona për dy raste të ndara për veprën e njëjtë penale- dhunë në familje.
Në rastin e parë arrestimi i të dyshuarit erdhi pas një mosmarrëveshje e cila përfundoi në sulm ndaj viktimës grua.
Sipas raportit, viktima ka pranuar tretman mjekësor, ndërsa i dyshuari pas intervistimit me vendim të prokurorit lirohet në procedurë të rregullt.
Ndërsa në rastin e dytë, i dyshuari është arrestuar pasi ofendoi dhe sulmoi viktimën grua.
Gjithashtu, viktima ka pranuar tretman mjekësor, ndërsa i dyshuari pas intervistimit me vendim të prokurorit dërgohet në mbajtje.
Edhe në Gjakovë është arrestuar një person nën dyshimin se ka kryer veprën penale- dhunë në familje ndaj viktimës grua.
Lidhur me rastin i dyshuari nën përcjellje të policisë është dërguar për trajtim mjekësor dhe në konsultim me prokurorin kujdestar i është lëshuar masa e ndalimit për 48 orë.
Ndërsa, në Vitomericë është arrestuar një grua shtetase e Shqipërisë e cila dyshohet se ka ushtruar dhunë psiqik dhe fizike ndaj viktimës burrë.
Viktima ka pranuar tretman mjekësor, ndërsa e dyshuara pas intervistimit me vendim të prokurorit është liruar në procedurë të rregullt.
