Brenda një dite në Policia e Kosovës janë regjistruar katër raste të dhunës në familje. Rastet janë raportuar në Drenas, Obiliq, Lipjan dhe Gjakovë.
Në rastin e parë në Drenas është arrestuar një burrë pasi dyshohet se ka sulmuar bashkëshorten e tij, ndërsa gjatë kontrollit policia i ka gjetur dhe konfiskuar një pistoletë me 25 fishekë. Me vendim të prokurorit, pas intervistimit, i dyshuari është dërguar në mbajtje.
Një tjetër rast i dhunës në familje është raportuar në Obiliq, ku sipas policisë, pas një mosmarrëveshjeje një grua është sulmuar fizikisht nga një burrë. Palët janë intervistuar dhe me vendim të prokurorit janë liruar në procedurë të rregullt.
Ndërkaq, në Lipjan policia ka njoftuar se pas një mosmarrëveshjeje një grua dyshohet se ka sulmuar fizikisht viktimën, e cila ka pranuar tretman mjekësor. Pas intervistimit, me urdhër të prokurorit, palët janë liruar në procedurë të rregullt.
Rasti i katërt është regjistruar në Gjakovë, ku është arrestuar një burrë i dyshuar se ka sulmuar fizikisht një grua. Sipas policisë, nuk janë raportuar lëndime trupore, ndërsa pas intervistimit i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt me vendim të prokurorit.
