UBT News

Katër ditë pune në javë: Cilat shtete e kanë ‘përqafuar’ dhe si po shkon?

Diskutimet rreth katër ditëve pune në javë janë rindezuar nga pandemia COVID-19, meqë punëtorët dhe punëdhënësit e kanë në konsideratë rëndësinë e fleksibilitetit dhe përfitimeve në vendin e punës.

Ideja është e thjeshtë – punonjësit do të punojnë katër ditë në javë, ndërkohë që paguhen njësoj dhe kanë të njëjtat përfitime, por me të njëjtën ngarkesë pune.

Prandaj kompanitë që reduktojnë javën e tyre të punës do të funksionojnë me më pak takime dhe më shumë pavarësi në punë.

E përshëndetur si e ardhmja e produktivitetit të punonjësve dhe balancës punë-jetë, avokuesit e këtij sistemi sugjerojnë që sapo të fillojë së zbatuari, kënaqësia e punonjësve rritet, dhe po ashtu edhe produktiviteti.

Sindikatat në të gjithë Evropën po bëjnë thirrje që qeveritë të zbatojnë javën katërditore të punës, por cilat vende e kanë përqafuar idenë dhe si po shkon deri tani?

Belgjika

Në shkurt, punonjësit belgë fituan të drejtën për të kryer një javë të plotë pune me katër ditë në vend të pesë ditëve të zakonshme, pa ulje të rrogës.

Projektligji hyri në fuqi më 21 nëntor, duke u mundësuar punonjësve të vendosin nëse do të punojnë katër apo pesë ditë në javë. Por kjo nuk do të thotë se ata do të punojnë më pak – ata thjesht do të kondensojnë orët e tyre të punës në më pak ditë.

Kryeministri belg, Alexander de Croo shpreson se ndryshimi do të ndihmojë që tregu i Belgjikës të jetë më fleksibël dhe do ta bëjë më të lehtë për njerëzit të kombinojnë jetën e tyre familjare me karrierën e tyre. Sipas tij, modeli i ri duhet të krijojë një ekonomi më dinamike.

Vetëm rreth 71 nga 100 belgë të grupmoshës nga 20 deri në 64 vjeç janë në marrëdhënie pune, më pak se mesatarja e eurozonës prej rreth 73 dhe plot 10 pikë përqindjeje më pak se në vendet fqinje si Holanda dhe Gjermania, sipas të dhënave të Eurostat për tremujorin e tretë të vitit 2021.

Mbretëria e Bashkuar

Kompanitë në Mbretërinë e Bashkuar që e testuan këtë sistem, tani po planifikojnë që ta bëjnë atë të përhershëm, meqë eksperimenti u dëshmua si “jashtëzakonisht i suksesshëm”.

Dhjetra kompani janë përfshirë në programin pilot gjashtëmujor, më i madhi i këtij lloji, i cili u lansua më 6 qershor të këtij viti për të studiuar ndikimin e orëve më të shkurtra të punës në produktivitetin e bizneseve dhe mirëqenien e punëtorëve të tyre, si dhe ndikimin në mjedis dhe barazinë gjinore.

Rreth 70 kompani në Mbretërinë e Bashkuar dhe më shumë se 3 mijë e 300 punonjës janë regjistruar deri më tani në këtë program, i cili po drejtohet nga studiues në Universitetet Cambridge dhe Oxford, dhe Kolegji i Bostonit, si dhe grupet jofitimprurëse të avokimit 4 Day Week Global, 4 Day Week UK Campaign dhe the UK think tank Autonomy.

Skocia dhe Uellsi

Në Skoci dhe në Uells kjo nismë do të testohet në vitin 2023. Ky vendim erdhi si premtim i një fushate që u bë nga Partia Kombëtare Skoceze (SNP) në pushtet.

Punëtorëve do t’u reduktohet ora me 20 për qind, por paga nuk do t’iu ulet. SNP do të mbështesë kompanitë pjesëmarrëse me rreth 10 milionë £ (11.8 milionë €).

Sipas një sondazhi të fundit të kryer nga Instituti për Kërkime të Politikave Publike (IPPR) në Skoci, 80 për qind e njerëzve që iu përgjigjën idesë ishin shumë pozitivë ndaj nismës.

Spanja

Pasi partia e vogël e majtë Más País njoftoi në fillim të këtij viti se qeveria ra dakord me kërkesën e tyre për të nisur një program pilot modest të një jave pune katërditore, Spanja nisi një projekt pilot në muajin dhjetor.

Piloti do të ndihmojë SME-të të shkurtojnë javën e tyre të punës me të paktën gjysmë dite, pa ulur pagat.

Ky është një test për të parë nëse produktiviteti mund të rritet. Kompanitë që regjistrohen mund të marrin ndihmë nga një fond qeveritar prej 10 milionë euro, por ato duhet të hartojnë mënyra për të rritur produktivitetin që kompenson tejkalimin e kostos së pagave, tha Ministria e Industrisë e Spanjës.

Islanda: Një nga liderët në javën e punës katërditore

Midis viteve 2015 dhe 2019, Islanda kreu pilotimin më të madh në botë të një jave pune me 35 deri në 36 orë (prerë nga 40 orë tradicionale) pa asnjë thirrje për një ulje proporcionale të pagave. Rreth 2 mijë e 500 njerëz morën pjesë në fazën e testimit.

Për të siguruar kontrollin e cilësisë, rezultatet u analizuan nga instituti britanik Autonomy dhe Shoqata Islandeze jofitimprurëse për Qëndrueshmëri dhe Demokraci (ALDA).

Piloti u quajt një sukses nga studiuesit dhe sindikatat islandeze që negociuan për një reduktim të orëve të punës.

Suedia

Në Suedi, një javë pune katërditore me pagesë të plotë u testua në vitin 2015 me rezultate të përziera.

Propozimi ishte që të provoheshin ditët e punës gjashtëorëshe në vend të atyre tetëorëshe pa humbje page, por jo të gjithë ishin të kënaqur me idenë e shpenzimit të parave në pilotim.

Edhe partitë e majta menduan se do të ishte shumë e shtrenjtë për ta zbatuar këtë në një shkallë të gjerë.

Por rezultate pozitive u vunë re brenda njësisë së ortopedisë së një spitali universitar, i cili kaloi 80 infermierë dhe mjekë në një ditë pune gjashtë orëshe dhe punësoi staf të ri për të kompensuar kohën e humbur. Përgjigja e stafit mjekësor ishte pozitive, por edhe eksperimenti u përball me shumë kritika dhe nuk u rinovua.

Megjithatë, disa kompani, si prodhuesi i makinave Toyota, zgjodhën të mbajnë orët e reduktuara për punëtorët e tyre.

Gjermania

Gjermania është shtëpia e një prej javëve mesatare më të shkurtra të punës në Evropë. Sipas Forumit Ekonomik Botëror (WEF), java mesatare e punës është 34.2 orë. Megjithatë, sindikatat po bëjnë thirrje për ulje të mëtejshme të orëve të punës.

Vitin e kaluar, IG Metall, sindikata më e madhe e vendit, bëri thirrje për javë më të shkurtra pune, duke argumentuar se kjo do të ndihmonte në ruajtjen e vendeve të punës dhe shmangien e pushimeve nga puna.

Sipas një sondazhi të Forsa, 71 për qind e njerëzve që punojnë në Gjermani do të dëshironin të kishin mundësinë të punonin vetëm katër ditë në javë.

Japonia

Në vende të tjera si Japonia, janë kompanitë më të mëdha që po hyjnë në këtë sistem, pas njoftimit të qeverisë japoneze në vitin 2021 rreth një plani për të arritur një ekuilibër më të mirë punë-jetë në të gjithë vendin.

Ka disa arsye që kjo mund të jetë e mirë për vendin, ku vdekja nga puna e tepërt merr shumë jetë.

Stafi që punon me orë shtesë shpesh mund të sëmuret për shkak të punës së tepërt ose të bëhet vetëvrasës.

Në vitin 2019, gjiganti i teknologjisë Microsoft eksperimentoi me modelin duke u ofruar punonjësve fundjavë treditore për një muaj.

Lëvizja rriti produktivitetin me 40 për qind dhe rezultoi në punë më efikase.

Zelanda e Re

Ndërkohë, në Zelandën e Re, 81 punonjës që punojnë për gjigantin e mallrave të konsumit Unilever po marrin pjesë aktualisht në një provë njëvjeçare të një jave pune katërditore me pagesë të plotë.

“Qëllimi ynë është të matim performancën në rezultat, jo në kohë. Ne besojmë se mënyrat e vjetra të punës janë të vjetruara dhe nuk janë më të përshtatshme për qëllimin”, tha Nick Bangs, Drejtor menaxhues i Unilever. Nëse eksperimenti rezulton i suksesshëm, thuhet se do të shtrihet në vende të tjera.

Interes i madh në ShBA dhe Kanada

Sipas një sondazhi nga shitësi i softuerëve cloud Qualtrics, 92 për qind e punëtorëve amerikanë janë pro shkurtimit të javës së punës, edhe nëse kjo nënkupton punë me orë më të gjata.

Në Kanada, hulumtimi nga agjencia globale e punësimit Indeed tregoi se 41 për qind e punëdhënësve kanadezë po shqyrtojnë oraret alternative hibride dhe stilet e reja të punës, pas pandemisë COVID-19./UBTNews/

Exit mobile version