Galeria Kombëtare e Kosovës po organizon një program të veçantë për familje, i dedikuar fëmijëve dhe i fokusuar në afrimin e tyre me artin përmes lojës, krijimtarisë dhe eksplorimit të teknikave të ndryshme artistike.
Programi do të zhvillohet për katër ditë, duke filluar nga ora 11:00, ndërsa punëtoritë do të frymëzohen nga veprat e ekspozitës që aktualisht është e hapur në Galerinë Kombëtare të Kosovës.
Gjatë aktiviteteve, fëmijët do të kenë mundësi të eksperimentojnë me pikturë, kolazh, media të përziera dhe tekstil, duke eksploruar tema si natyra, ngjyrat, format dhe imagjinata.
Përmes punës praktike, pjesëmarrësit do të inkurajohen të shprehen lirshëm dhe të zhvillojnë qasjen e tyre krijuese ndaj artit.
Të gjitha punëtoritë do të udhëhiqen nga edukatorja e artit Rina Gosalci, ndërsa Galeria Kombëtare e Kosovës ka ftuar familjet t’i bashkohen programit dhe të kalojnë kohë së bashku në një hapësirë të dedikuar artit dhe krijimtarisë./A.K/
