Komuna e Podujevës, Lipjanit, Vitisë dhe Shtimes janë përfituese për zbatimin e masave të efiçencës së energjisë për 13 objekte publike, në vlerë rreth 3.8 milionë euro.
Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli ka thënë se familjet përfituese të subvencionit të pajisjeve efiçiente për ngrohje sipas të dhënave të marra nga KESCO, kanë ulur mesatarisht konsumin e energjisë për 19 për qind me vitin pasues. Derisa shtoi se në të njëjtën periudhë familjet tjera të vendit, amvisëritë në total e kanë rritur mesetarisht 3.8 për qind konsumin.
Në ceremoninë e mbajtur nga Fondi i Kosovës për Efiçiencë të Energjisë, Rizvanolli ka theksuar se familjet e subvencionuara kanë kursyer në total 27 milionë kilovat në orë.
“Është një vazhdimësi i projekteve që kemi pasur. Deri më tani kemi realizuar Ministria e Ekonomisë dhe Fondi 125 projekte të efiçiences së energjisë ku kursimi i energjisë është arritur në 80 për përqind më disa raste…Për dallim prej raundeve të kaluara të ndërtesave këtë radhë kontratat e ndërtesave kontratat janë të nënshkruara nga Qeveria e Kosovës komplet dhe do të zbatohen përmes fondit qarkullues për komuna…Familjet përfituese të subvencionit të pajisjeve efiçente për ngrohje sipas të dhënave të marra nga KESCO kanë ulur mesatarisht konsumin e energjisë për 19 për qind me vitin pasues. Përderisa në të njëjtën periudhë familjet tjera të vendit, amvisëritë në total e kanë rritur mesatarisht 3.8 për qind konsumin. Masat e efiçiences kanë ulur konsumin e energjisë. Familjet e subvencionuara kanë kursyer në total 27 milionë kilovat në orë. Ky investim i cili po fillon sot është në vlerë 3.8 milionë euro i financuar nga Qeveria e Kosovës, dhe përmes kësaj marrëveshje po i shtojmë edhe projekte të reja në disa komuna“, tha Rizvanolli.
Në anën tjetër, drejtori menaxhues i FKEE-së, Driton Hetemi ka thënë se përsa i përket projekteve në sektorin publik gjatë vitit 2023 dhe 2024, ata kanë përfunduar 86 projekte të ngjashme, kryesisht shkolla, salla sportive, qendra te kulturës dhe objekte të tjera administrative.
“Përfituese nga këto projekte janë gjashtë komuna, nga të cilat Suhareka dhe Istogu kanë nënshkruar gjatë javës se kaluar për katër projekte, kurse Podujeva, Lipjani, Vitia dhe Shtimja do të nënshkruajnë sot së bashku me ne në këtë ceremoni, për 13 projekte të reja. Rikujtojmë se përsa i përket projekteve në sektorin publik gjatë vitit 2023 dhe 2024 FKEE ka përfunduar 86 projekte të ngjashme, kryesisht shkolla, salla sportive, qendra te kulturës dhe objekte të tjera administrative, te financuara nga Qeveria e RKS, Banka Botërore dhe Bashkimi Evropian. Në anën tjetër, në sektorin rezidencial FKEE përmes grantit nga Bashkimi Evropian ka subvencionuar mbi 3 mijë familje për implementimin e masave te efiçiences së energjisë në shtëpitë e tyre“, tha ai.
Derisa kjo marrëveshje u prit mirë edhe nga kryetarët e komunave të lartpërmendura. Ata u shprehen se me këto projekte përfiton komuna dhe qytetarët e saj.