UBT News

Kastrioti rikthen titullin në Ferizaj pas 15 vjetësh

Kastrioti është shpallur kampion i Kosovës në hendboll në konkurrencën e meshkujve, duke rikthyer trofeun në Ferizaj pas një pritjeje prej 15 vjetësh. Skuadra ferizajase triumfoi në serinë finale të plejofit ndaj Rahovecit me rezultat të përgjithshëm 3:1.

Ndeshja vendimtare u zhvillua të dielën mbrëma në Rahovec dhe solli shumë emocione deri në sekondat e fundit. Kastrioti arriti të fitojë me rezultat 25:23 pas një përballjeje dramatike, duke siguruar kështu titullin e kampionit.

Hero i finales ishte portieri tunisian Wadi Chebbi, i cili shkëlqeu me pritje të shumta gjatë gjithë takimit. Ai realizoi edhe një pritje vendimtare në minutën e fundit, duke i hapur rrugë festës së madhe të ferizajasve.

Më efikasi te Kastrioti ishte Yassine Henahen me shtatë gola, ndërsa Felippe Teixeira kontribuoi me pesë. Nga tri gola realizuan Alban Haziri, Festim Mustafa dhe Albin Ahlin.

Edhe te Rahoveci pati paraqitje të mira individuale. Portieri Arti Luzha ishte në nivel të lartë me disa pritje të rëndësishme, ndërsa Egzon Gjuka dhe Guilherme Fernandes shënuan nga pesë gola. Katër gola i realizoi Mali Luzha.

Kastrioti ishte në epërsi gjatë pjesës më të madhe të takimit, duke krijuar avantazh deri në katër gola në pjesën e dytë (21:17). Megjithatë, vendasit nuk u dorëzuan dhe arritën të barazonin rezultatin në 22:22 në minutën e 57-të, falë dy golave radhazi të Mali Luzhës.

Në momentet vendimtare, Henahen realizoi dy gola të rëndësishëm për mysafirët, ndërsa pas pritjes vendimtare të Chebbit, Alban Haziri vulosi fitoren me golin për 25:23.

Për Kastriotin, ky është titulli i gjashtë kampion në histori me këtë emër të klubit. Skuadra nga Ferizaj i dha fund dominimit të Rahovecit, që kishte fituar dy titujt e fundit kampionalë.

Ferizajasit e mbyllin sezonin në mënyrë të shkëlqyer, pasi përveç titullit kampion kanë fituar edhe Kupën e Kosovës, duke kompletuar kështu një edicion të suksesshëm.

Pas ndeshjes, trofeun e kampionit kapitenit të Kastriotit, Beni Sula, ia dorëzoi presidenti i Federatës së Hendbollit të Kosovës, Edin Kolgeci.

Exit mobile version