UBT News

Karta e Venecias: Udhëheqësja për ruajtjen e trashëgimisë në Ditën Botërore të Monumenteve

Përmasat e jetës, përkushtimi ndaj traditave dhe përhapja e historisë së trashëgimisë kulturore janë në thelb të identitetit. Në vitin 1983, një iniciativë e ndritur u zuri për dore nga Këshilli Ndërkombëtar për Monumentet dhe Lokalitetet (ICOMOS), një ditë në vit, bota bën një pauzë për të festuar përtej kufijve të një kulture të vetme. Dita Ndërkombëtare e Monumenteve dhe Lokaliteteve, është një shënjestër e përpjekjeve të ICOMOS, Këshillit Ndërkombëtar për Monumentet dhe Lokalitetet.

Për çdo vit, një temë e re vjen në fokus për të përqendruar vëmendjen tonë kolektive. Dhe për vitin 2024, ky fokus është thelbi i Kartës së Venecias – një biletë e artë për konservimin dhe ruajtjen e trashëgimisë. Tema për këtë vit është “Fatkeqësitë dhe Konfliktet Përmes Lenteve të Kartës së Venecias”. Ajo na fton të hedhim një vështrim të thellë në sfidat dhe kërcënimet që vendet dhe monumentet e trashëgimisë ballafaqohen, nga tronditjet natyrore deri te shkatërrimet e shkaktuara nga njerëzit, shkruhet në Konventën e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s.

Këtë vit, festa ka një ndërthurje të veçantë: shënon 60-vjetorin e Kartës së Venecias dhe reflekton mbi rrugën tonë përpara në shekullin e 21-të, duke iu përpjekur të zbulojë se si fatkeqësitë dhe konfliktet bien nën ndriçimin e saj. Kartës së Venecias i është dhënë një theks i veçantë për të zhvilluar një diskutim për zgjidhjet dhe sfidat e trashëgimisë kulturore në botën moderne. Kjo kartë, e cila është një mjet themelor për menaxhimin e trashëgimisë së botës, nxjerr në pah rolin e monumenteve dhe vendeve në rritjen e ndërgjegjësimit për trashëgiminë kulturore dhe mbrojtjen e saj. Qëllimi i saj ishte të siguronte që strukturat historike të ruheshin dhe të rindërtoheshin në mënyrë të respektueshme dhe të mirëkuptueshme. Karta e Venecias ka disa rregulla që duhet të ndiqen, dhe disa nga këto janë vërtet të jashtëzakonshme. Për shembull, një nga pikat më të rëndësishme thotë që monumentet duhet të përdoren për qëllime shoqërore, por pa u prekur integriteti historik i tyre. Nëse është e nevojshme të bëhen ndryshime, ato duhet të bëhen në mënyrë që të ruhet karakteri origjinal i ndërtesës, shkruhet në vebfaqen e Chasing World Heritage.

Në kohën tonë, Karta e Venecias është nën debat. Disa ekspertë janë kundër saj, duke pretenduar se ajo është e vjetër dhe e pasaktë për situatat e sotme. Megjithatë, organizata e UNESCO-s e ka akceptuar që rindërtimi të lejohet në rrethana të veçanta, për shembull, kur ajo është e nevojshme për të ruajtur një aspekt të rëndësishëm të trashëgimisë kulturore, mësohet nga faqja kryesore e International Council on Monuments and Sites.

60 vjetori i miratimit të Kartës së Venecias është një moment për të reflektuar mbi trashëgiminë tonë të përbashkët dhe për të diskutuar se si mund t’i kemi kujdesur më mirë ato sot. Tema e vitit 2024 thekson rëndësinë e ruajtjes së trashëgimisë në një botë që po ndryshon me shpejtësi. Në këtë ditë të veçantë, një varg aktivitetesh dhe ngjarjesh po zhvillohen në të gjithë botën për të çuar përpara këtë diskutim të rëndësishëm. Nga konferencat me ekspertizën më të fundit, deri te vizitat në monumente dhe vende të trashëgimisë, Ditës Botërore të Trashëgimisë i jepet një rëndësi të veçantë për të reflektuar, të festuar dhe të mbrojmë pasuritë e ndryshme kulturore që na rrethojnë.

Kosova, Maqedonia dhe Shqipëria në kujdesin e trashëgimisë

Ka një valë ndërgjegjësimi dhe aktiviteti në Ditën Botërore të Monumenteve dhe Lokaliteteve edhe Maqedonia, por edhe Shqipëria po kontribuojnë në këtë festë të trashëgimisë kulturore në mënyra të ndryshme dhe frymëzuese. Megjithëse nuk ka ende informacion për aktivitetet që zhvillohen në Kosovë nga Ministria e Kulturës nuk domethënë që Kosova, nuk ka një vend me një trashëgimi të pasur historike dhe kulturore, por angazhimi në aktivitete në këtë rast dhe deri në këtë moment shihet se është i munguar! Në shënim të Ditës Ndërkombëtare të Monumenteve dhe Lokaliteteve, në vitin 2022 përmes një videoje, Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku dhe Kryetarja e Këshillit të Kosovës për Trashëgimi Kulturore, Zanita Halimi patën realizuar një video që tregon angazhimin e tyre në objektet e pasura kulturore që ka Kosova duke thënë se objektetet e trashëgimisë tonë kulturore po ‘i mbrojnë dhe rifunksionalizojnë’.

Sibel Halimi që udhëheq me Drejtorinë e Kulturës në Komunën e Prishtinës, ka deklaruar në rrjetin social në Facebook, se monumentet janë më shumë se vetëm objekte dhe se ato janë dëshmitarë të historisë dhe identitetit tonë.

“Duke reflektuar për këtë ditë, ne përkujtojmë detyrimin tonë për t’i mbrojtur ato nga rreziqet dhe dëmtimet. Kujdesi dhe edukimi janë thelbi për të siguruar që kjo trashëgimi të jetë e qëndrueshme për brezat e ardhshëm”, shkruan Halimi.

Maqedoni- Në Ditën Botërore të Monumenteve dhe Lokaliteteve, një fushatë po mbahet edhe në Maqedoni, mësohet përmes Telegrafit. Sot, muzetë dhe zonat arkeologjike janë të hapura për të gjithë, falas dhe me krenari të shpërblimit të ditës së rëndësishme. Ministrja e Kulturës, Bisera Kostadinovska-Stojçevska, njofton se institucionet shtetërore në fushën e mbrojtjes së trashëgimisë kulturore janë plotësisht të gatshme për të pritur vizitorët gjatë gjithë ditës. Nëpër qytetet e Maqedonisë, muzetë dhe zonat arkeologjike janë gati për të tërhequr vëmendjen dhe admirimin e vizitorëve. Nga Manastiri në Gjevgjeli, nga Stobi në Herakleia, një rrugë e pasur me histori dhe kulturë po hapet për të gjithë ata që janë të gatshëm të zbulojnë thellësitë e trashëgimisë. Nga muzeu arkeologjik në muzeumin e artit bashkëkohor, nga shtëpia përkujtimore e Toshe Proeskit deri te galeria e arteve në Tetovë, kudo në vend, një udhëtim kulturor po ofrohet falas për të gjithë. Poashtu mësohet se do të jenë hapur edhe dyert e institucioneve kombëtare, si institutet dhe muzetë në Manastir, Shtip, Ohër, Prilep dhe Strumicë; Stobi dhe Herakleia; Shtëpia përkujtimore e Toshe Proeskit; Muzeu Arkeologjik; Galeria Kombëtare e Maqedonisë me të gjitha objektet e saj; Muzeu i Artit Bashkëkohor; Muzeu i luftës maqedonase; Muzeu Historik në Krushevë; Muzeu i alfabetit shqip; Galeria e Arteve në Tetovë; “Dr Nikolla Nezlobinski” në Strugë; Muzeu i Maqedonisë Perëndimore në NOV – Kërçovë; Muzeu i rajonit të Tetovës; Muzeumi i historisë së natyrës; Muzeu i Maqedonisë së Veriut; muzetë në  Kumanovë dhe Gjevgjeli.

Shqipëri- Në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të Monumenteve dhe Lokaliteteve, Drejtoritë Rajonale të Trashëgimisë Kulturore në Shqipëri kanë nisur të organizojnë aktivitete për të rritur ndërgjegjësimin e individëve në vlerësimin dhe angazhimin e tyre ndaj trashëgimisë kulturore dhe monumenteve historike që janë me rëndësi të madhe për ndërgjegjen kolektive, shkruan Agjencia Telegrafike Shqiptare. Në këtë kuadër, Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore në Shkodër përzgjodhi të publikonte një foto nga Manastiri i Shën Sergjit dhe Bakut, i njohur si Kisha e Shirqit. Ndërsa DRTK në Berat e çeli javën e aktiviteteve për trashëgiminë, me ekspozitën lëvizëse “Monumente në vite”, me nxënësit e shkollës 9-vjeçare “Zoi Vangjeli”, Velabisht. Ekspozita është një retrospektivë me foto bardhezi dhe me ngjyra, të cilat nxitën vëmendjen e të rinjve mbi monumentet dhe trashëgiminë duke i njohur dhe ndërgjegjësuar për vlerat e tyre kulturore dhe turistike. Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore Shkodër njoftoi se në Ditën Ndërkombëtare të Monumenteve, hyrja në parqet arkeologjike Shkodër-Lezhë do të jetë falas.

Në këtë vit, tema sjell në vëmendje një shkallë të gjerë të ndërtimeve të krijuara me qëllim të ruajtjes së memorjeve. Ato janë pamje që shtjellojnë një pjesë të përvojës njerëzore, duke na sjellë pranë emocioneve dhe ideve të kaluara. Trashëgimia e Përkujtimit shfaqet në forma të ndryshme, nga mbishkrime të gdhendura dhe monumente arkitektonike të mahnitshme deri te elemente më modestë që reflektojnë traditat popullore dhe historinë lokale./UBTNews/

© Dionesa Ebibi

Exit mobile version