Në episodin e 40 të podcastit “Shëndeti në rend të parë”, i mbështetur nga United Hospital, kardiologu invaziv Edis Demiri foli për diagnostikimin dhe trajtimin e sëmundjeve të zemrës.
Demiri shpjegoi se si t’i kuptojmë më mirë simptomat e para të problemeve të zemrës, rreziqet që i kërcënojnë, si dhe arritjet më të fundit teknologjike në këtë fushë.
Ai theksoi se disa nga simptomat që nuk duhet të neglizhohen për problemet e zemrës janë: dhimbja në kraharor, vështirësia në frymëmarrje, lodhja e tepruar dhe ndjesia e rëndesës në trup.
Kardiologu gjithashtu vuri në dukje se, ndonëse stresi dhe ankthi mund të shkaktojnë simptoma të ngjashme, një kontroll i hershëm mund të bëjë diferencën.
Demiri përmendi disa faktorë kryesorë të rrezikut për sëmundjet kardiovaskulare: presioni i lartë i gjakut, kolesteroli i lartë, duhani dhe mungesa e aktivitetit fizik. Ai nënvizoi se shumica e këtyre faktorëve mund të parandalohen përmes një stili jetese të shëndetshëm dhe kontrollit të rregullt mjekësor.
Gjatë bisedës, doktori Demiri rekomandoi gjithashtu ushqim të shëndetshëm dhe aktivitet fizik, të cilat janë thelbësore për shëndetin e zemrës.
Për më shumë, ndiqni podcastin e plotë “Shëndeti në rend të parë”. /Telegrafi/