Si të mos mjaftonin dëmtimet e Brojës dhe Dakut, trajneri Sylvinho ka pësuar një tjetër goditje të rëndë me humbjen e kapitenit Berat Gjimshiti për dy sfidat e para të Ligës së Kombeve.
Dëmtimi i Gjimshitit është pa dyshim lajmi më i hidhur për kombëtaren shqiptare në këtë grumbullim të parë pas “Euro2024”. Qendërmbrojtësi i Kombëtares shqiptare pësoi një tërheqje të shkallës së parë në kofshën e djathtë gjatë një seance stërvitore, duke detyruar një ndërprerje të menjëhershme dhe një vizitë në infermieri.
Pas ekzaminimeve të para në Tiranë, Gjimshiti u transferua në Bergamo për kontrolle më të thelluara dhe një diagnostikim më të saktë. Raportet e para tregojnë se dëmtimi i tij mund të ketë një ndikim të rëndësishëm në planet e ardhshme të trajnerit të Atalantës, Gian Piero Gasperini.
Ky problem shëndetësor është një shqetësim i madh jo vetëm për Shqipërinë, por edhe për Gasperinin, i cili do të duhet të përballojë mungesën e Gjimshitit në sfidën e parë pas rifillimit të Serie A kundër Fiorentinës më 15 shtator.
Për më tepër, Gjimshiti është në dyshim të fortë edhe për ndeshjen e parë të Atalantës në Ligën e Kampionëve, kundër Arsenalit më 19 shtator. Ndikimi i këtij dëmtimi do të jetë i rëndësishëm për strategjinë e skuadrës në këtë konkurrencë prestigjioze./UBTNews/