Fitorja e Kosovës ndaj Izraelit me rezultat 1-0 ishte mjaft e rëndësishme për “Dardanët”, sidomos në aspektin e motivimit të tyre, por ndeshja e zhvilluar në stadiumin “Fadil Vokrri” po përflitet shumë edhe për shkak të kushteve aspak të mira në fushën e stadiumit e cila ishte tejet e keqe për shkak të të reshurave të shiut.
Kapiteni i Izraelit, Eran Zahavi, i cili u rikthye në kombëtare pas një periudhe të gjatë, e ka quajtur “fushë derrash” stadiumin në kqryeqytet.
“Nuk e di a ta quaj fushë futbolli, ishte më shumë një fushë derrash. E dinim që nuk do të ishte e lehtë në asnjë situatë. Nuk morëm pikë, por ne dhamë gjithçka. Shanset nuk kanë ndryshuar shumë. Do të duhet të mposhtim Rumaninë dhe të përpiqemi të marrim pikë nga Zvicra”, tha ai.
Më tutje ai shtoi se në një fushë të tillë nuk ishte e mundur të zhvillohej futboll i vërtetë.
“Nuk kishte futboll të vërtetë këtu. Ne nuk mund të sillemi normalisht në një lojë si kjo. Ishte e vështirë edhe të ndalosh një top në këtë situatë. Shpresoj që të bëjmë më shumë në ndeshjen e radhës dhe ky është qëllimi”, theksoi ai.