UBT News

Kapet mbi 41 kilogramë kokainë në Portin e Durrësit, vlera rreth 2 milionë euro

Policia e Shtetit ka goditur një tjetër rast të tentativës për futjen e lëndëve narkotike në Shqipëri përmes Portit të Durrësit, ku janë sekuestruar mbi 41 kilogramë lëndë e dyshuar narkotike kokainë.

Operacioni policor, i koduar “Anchor 3”, u zhvillua nga Sektori për Hetimin e Narkotikëve në DVP Durrës, në bashkëpunim me Drejtorinë Vendore për Kufirin dhe Migracionin dhe strukturat doganore të Portit të Durrësit.

Gjatë kontrollit të detajuar të një kontejneri që kishte ardhur nga Brazili dhe që, sipas dokumentacionit, transportonte mish pule, policia zbuloi në kapakët e jashtëm të kontejnerit 37 paketime me lëndë të dyshuar narkotike.

Sasia totale e sekuestruar ishte 41 kilogramë e 350 gramë kokainë, ndërsa vlera e saj në treg, sipas autoriteteve, përllogaritet në rreth 2 milionë euro.

Sipas Policisë së Shtetit, ky është rasti i tretë i goditur brenda një muaji në Portin e Durrësit lidhur me tentativat për trafikimin e lëndëve narkotike.

Ndërkohë, strukturat hetimore vijojnë punën për dokumentimin e plotë të rastit, përcaktimin e origjinës dhe destinacionit të drogës, si dhe identifikimin dhe kapjen e personave të përfshirë.

Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme./A.K/

Exit mobile version