UBT News

Kapen të dyshuarit që vodhën cigaret elektronike nga vetura në Vushtrri

Policia e Kosovës ka arrestuar katër persona të dyshuar për përfshirje në një vjedhje të rëndë të ndodhur dy ditë më parë në Vushtrri.

Rasti ishte denoncuar me 22 prill, pasi një qytetar kishte raportuar se persona të panjohur i kishin thyer xhamin e veturës dhe prej andej kishin vjedhur rreth 400 lloje të cigareve elektronike. Pas një pune operative dhe hetimore, njësitet policore kanë arritur t’i identifikojnë dhe t’i prangosin të dyshuarit në Mitrovicën e Jugut.

Gjatë operacionit, policia ka gjetur dhe ka sekuestruar një pjesë të cigareve elektronike që ishin raportuar si të vjedhura.

Pas intervistimit, me urdhër të prokurorit, njëri nga të dyshuarit është dërguar në mbajtje, ndërsa tre të tjerët do të mbrohen në procedurë të rregullt. Ndaj tyre janë iniciuar rastet për veprat penale “Vjedhje e rëndë” dhe “Blerja, pranimi ose fshehja e sendeve të përfituara me kryerjen e veprës penale”.

Exit mobile version