Sipas studiuesve të Fakultetit të Shkencave të Aplikuara në Universitetin e Zyrihut në kantonin e Bazelit në Zvicër, çatitë e gjelbra të qytetit ofrojnë avantazhe jo vetëm ndaj vapës së verës.
“Përshtatja ndaj klimës po bëhet gjithnjë e më e rëndësishme në ditët e sotme. Ndaj është njësoj si të thuash, kam një sfungjer në çati që mbledh ujin dhe që çliron lagështirë që ka një efekt ftohës tek ndërtesa dhe tek vetë qyteti,” – u shpreh Stephan Brenneisen, ekologjist urban.
Brenneisen është përfshirë në projektin e kërkimit me orkide që përdoren për çatitë e gjelbra. Shkencëtarët thonë se në qytet ka mjaftueshëm hapësirë për bimët.
“Ne kemi konstatuar këtu në Bazel se këto metoda nuk përdoren në mënyrë të vazhdueshme. Ne jemi në gjendje t’i tregojmë ato metoda të vlefshme të cilat mund t’i shërbejnë natyrës. Është diçka që i është shtuar ligjit për ndërtesat prej 20 vitesh. Nëse keni një çati, atëherë duhet ta bëni të gjelbër. Dhe aktualisht ne kemi rreth 4 mijë çati të gjelbra këtu në Bazel,” – tha ai.
Si pikë nisjeje për projektin shërbeu “Viti Europian për Mbrojtjen e Natyrës” në vitin 1995. Sot, Bazeli është qyteti me numrin më të lartë në botë të çative të gjelbra, që siç i quan dhe Departamenti i Ndërtimit dhe Transportit atje, duket si një “mozaik i vogël me habitate të mëdha”.