Një debat mes dy personave në Gjakovë ka kaluar në kanosje serioze mbi baza fetare, duke bërë që Policia e Kosovës të iniciojë rast për veprën penale “Nxitje e përçarjes dhe mosdurimit”. Incidenti fillimisht kishte ndodhur më 16 prill, por veprimet policore kanë pasuar pas raportimit dhe hetimeve të mëtutjeshme.
Sipas raportit zyrtar të policisë, të martën (më 7 korrik) është shoqëruar në stacionin policor i dyshuari për këtë rast. Ai ngarkohet me dyshimin se pas një debati të ashpër verbal, e ka kanosur verbalisht viktimën, një burrë kosovar, duke përdorur fyerje dhe kërcënime që prekin përkatësinë e tij fetare.
Pas shoqërimit, i dyshuari është intervistuar nga hetuesit policorë në prani të mekanizmave mbrojtës. Në lidhje me rastin është konsultuar edhe prokurori i shtetit, i cili ka sugjeruar që pas përfundimit të procedurave të intervistimit, i dyshuari të lihet i lirë. Rasti ndaj tij ka kaluar për ndjekje të mëtejshme në procedurë të rregullt. /E.A/
