UBT News

Kanë nisur xhirimet e filmit “Për sa t’ketë det”

Kanë filluar xhirimet e filmit artistik me metrazh të gjatë “Për sa t’ketë det”, me skenar dhe regji nga Sovran Nrecaj dhe producente Aurela Kadriu. Ky është projekti i parë i gjatë artistik i regjisorit, i cili po realizohet nga Can and Cam në partneritet me Degjenerata, me mbështetjen e Qendrës Kinematografike të Kosovës.

Filmi trajton tema të thella njerëzore, duke u fokusuar në dhimbjet e pafolura dhe jetët që mbeten pezull në pritje. I vendosur në një shoqëri që përpiqet të rindërtohet pas luftës, rrëfimi nuk kërkon heronj apo fitimtarë, por eksploron brishtësinë e një familjeje të prekur nga humbja.

Në qendër të historisë është Sadetja, e interpretuar nga Ilire Vinca, e cila jeton një jetë modeste me bashkëshortin e saj Burimin (Alban Ukaj), fotograf, dhe djalin e tyre Lumin (Yzeir Meha). Kur Burimi i bashkohet rezistencës së armatosur dhe zhduket pa lënë gjurmë, Sadetja mbetet vetëm me të birin, duke u përballur me një humbje të hapur dhe pa përgjigje. Mes së tashmes së rëndë dhe kujtimeve që nuk e lënë të qetë, ajo përpiqet të gjejë mënyra për të mbijetuar në një realitet të vështirë shoqëror.

Xhirimet e filmit po zhvillohen aktualisht në Kosovë.

Exit mobile version