Bjellorusia njoftoi dje mbylljen e ardhshme të ambasadës së saj në Kanada, pikërisht ditën kur kryeministri kanadez, Justin Trudeau tha se po konsideronte vendosjen e sanksioneve kundër regjimit të akuzuar për devijimin e një aeroplani europian për të arrestuar një kundërshtar.
“Ambasada bjelloruse në Kanada do të pezullojë aktivitetet e saj më 1 shtator 2021 dhe shërbimet e saj konsullore nga 10 korriku”, njoftoi ajo në një deklaratë në faqen e saj të internetit duke përshëndetur 24 vjet “bashkëpunim të dobishëm reciprok”.
“Sjellja e regjimit bjellorus është skandaloze, e paligjshme dhe plotësisht e papranueshme”, akuzoi dje Trudeau gjatë një konference shtypi.
“Kanada ka zbatuar tashmë sanksione kundër Bjellorusisë dhe do të shqyrtojë mundësi të tjera”, shtoi ai, duke kërkuar gjithashtu “lirimin e menjëhershëm” të gazetarit Roman Protasevich.