Ulis Hamiti, student i vitit të tretë në Media e Komunikim në UBT
Me përfundimin e ndeshjeve të grupeve tashmë janë vendosur edhe skuadrat të cilat do të jenë pjesë e ndeshjeve eleminuese në Katar 2022, Kampionatin Botëror në futboll. Deri në këto momente ka qenë një kampionat me disa çudira të cilat pak njerëz kishin paramenduar të ishin pjesë e këtij edicioni. 16 skuadrat e shteteve që arritën të vazhdojnë më tutje janë: Holanda, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Argjentina, Australia, Japonia, Kroacia, Brazili, Korea Jugore, Anglia, Senegali, Franca, Polonia, Maroku, Spanja, Portugalia dhe Zvicra. Por cilat ishin disa nga momentet kryesore gjatë kësaj periudhe në secilin grup?
Aventura e Katarit dhe ylli holandez
Grupi A përfshiu Katarin, Senegalin, Holandën dhe Ekuadorin. Aty nuk pa shumë momente interesante sa i përket pritshmërive se kush do të kualifikohej pasiqë siç pritej Holanda dhe Senegali në fund ia dolën mbanë. Katari në paraqitjen e parë në histori të botërorit, tregoi se ka shumë për të punuar në mbrojtje, por një moment pozitiv ishte goli kundër Senegalit (i pari në histori në Kampionatin Botëror), edhe pse në fund ishte vetëm gol nderi. Ekuadori iu afrua kualifikimit, por dështoi të fitonte kundër Senegalit. Grupi A dhuroi atë çfarë pritej, por vëmendjen e të gjithëve e kapi Cody Gakpo, sulmuesi holandez që shënoi në 3 ndeshje e para. Ai tregoi se premton shumë.
Ritakim mes rivalësh
Grupi B kishte Anglinë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Uellsin dhe Iranin. Ky grup dhuroi surpriza me Amerikën e cila barazoi 0-0 me Anglinë, një rezultat i ngjashëm me atë 12 vite më parë kur barazoi 1-1. Ajo u kualifikua ndërkohë që edhe Uellsi u rikthye në kampionatin botëror pas 64 vjetësh. Ata nuk arritën kualifikimin edhe pse ishin në një grup jo të lehtë. Duke prekur çështjet politike të Iranit në mënyrë sipërfaqësore, Irani pati një periudhë më trazira në këtë kampionat botëror. Lojtarët refuzuan të këndonin himnin, dashamirësit nuk i mbështetën dhe sërish nuk u kualifikuan nga grupet, me Anglinë që vazhdoi më tutje, edhe duke fituar 6-2 ndaj tyre. Suksesin e vetëm Irani e shijoi ndaj Uellsit duke realizuar në minutën e 100-të dhe 101-të të ndeshjes për të fituar (dy golat që u shënuan më vonë se çdo tjetër në fazën grupore).
Paraqitja heroike e Arabisë Saudite
Grupi C filloi çmendurisht! Arabia Saudite, Argjentina, Polonia dhe Meksika ishin protagonistë dhe ata u përfshinë në ndeshje interesante. Argjentina e cila ende vazhdon të konsiderohet si një nga skuadrat e preferuara për të fituar kampionatin, humbi përballë Arabisë Saudite në një takim që sigurt futet në listën e dhjetë rezultateve më të papritura në histori të kampionatit botëror me atë final 2-1. Aq ishte befasues saqë vetë mbreti i Arabisë Saudite e deklaroi ditën pas ndeshjes si ditë pushimi publik për arritjen historike të lojtarëve dhe nga një veturë të shtrenjë për secilin.
Polonia në ndeshjen e parë barazoi pa gola me Meksikën dhe fitoi të dytën, më pas humbi kundër Argjentinës, por arriti kualifikimin. Meksika kësaj rradhe u eleminua që në grup, hera e parë pas shtatë edicioneve rresht. Argjentina u rikthye për të fituar përballë Polonisë dhe më pas Meksikës me rezultate identike 2-0 për të vijuar garën.
Jo më “Mallkim kampionësh”?
Grupi D përfshiu kampionin aktual Francën, Australinë, Tunizinë dhe Danimarkën. Australia pritej të mbyllte aventurën e saj e fundit pasi shumë menduan se kishte skuadrën më të dobët ndër vite pavarësisht se kishte arrituar kualifikimin për secilin kampionat botëror që nga viti 2006. Dhe kështu u duk pas ndeshjes së parë më Francën, që përfundoi 4-1 për francezët. Danimarka u mendua se do të shkonte më larg në fazën eleminuese por u largua në vendin e fundit edhe pse ishte pranë një fitore ndaj Tunizisë në ndeshjen e parë, por shtylla ia mohoi një gol aq të nevojshëm. Vetë Tunizia mposhti Francën 1-0, por u eleminua. Australia pas 2 fitoreve radhazi 1- 0 përballë Tunizisë dhe Danimarkës respektivisht, arriti në vend të 2-të duke u kualifikuar nga grupet për herë të parë që nga viti 2006.
Dhe sërish ky vit është në qendër të vëmendjes për shkak se Franca u bë skuadra e parë që pasi kishte fituar titullin kampion të fundit para atij aktual, kaloi grupet. Më parë ishte vetë Franca që fitoi titullin më 1998 më pas dështoi në 2002 për t’u kualifikuar. Italia më 2006 u shpall kampion dhe dështoi me 2010. Spanja më 2010 më pas në 2014 nuk u kualifikua. Gjermania më 2014 fitoi më pas në vitin 2018 u largua herët dhe Franca e cila këtë edicion definoi atë çfarë shumë ndjekës të sportit e quajnë “Mallkimi i kampionëve“. Para kësaj vetëm Brazili pas titullit në vitin 2002 arriti deri në qerekfinale 4 vite më vonë. Sulmuesi frances Olivier Grioud në ndeshjen me Australinë me 2 golat e tij barazoi rekordin e Thierry Henry si top realizatori i Francës me 51 gola, dhe ende mund ta vendosë këtë botëror. Një përrallë e bukur dhe e vërtetë për një ndër sulmuesit më të nënvlerësuar dhe të talentuar në historinë e gjithë futbollit.
Eksodi ethesh emocionale në Grupin E
Grupin E, e përbënin Gjermania, Spanja, Costa Rica dhe Japonia. Është ky grupi që vështirë përshkruhet me fjalë, sepse pothuajse çdo kush kishte paraparë Spanjën dhe Gjermaninë si dy skuadrat e para. Por ne pamë një cikël absurd rezultatesh që sërish na treguan se kampionati botëror asnjëherë nuk dështon të dhurojë momente briliante. Si fillim Japonia mposhti Gjermaninë 2-1. Japonezët që luanin ndeshjen e parë pas humbjes fatkeqe në edicionin e kaluar përballë Belgjikës, pritej të sfidonin kualifikimin por jo që ta arrinin. Por pas fitores së parë çdo gjë ndryshoi dhe ishte radha për Spanjën me Costa Rica. Spanjollët arritën një ndër fitoret më të thella me rezultat brutal 7-0.
Më pas Gjermania barazoi me Spanjën në një ndeshje të cilën duhet ta fitonin, dhe në anën tjetër Costa Rica mposhti Japoninë. Në ndeshjen e fundit kishte shumë ndryshime në rezultat dhe pozicionet finale. Duhet të prisnim deri në fund për të parë se kush vazhdon. Një moment ishte Costa Rica që po kualifikohej, një moment Gjermania, një moment Japonia dhe një tjetër Spanja. Në fund Spanja dhe Japonia u kualifikuan pas fitores 2-1 të Japonisë nga Spanja.
Gjermania edhe pasi fitoi 4-2 me rikthim të rezultatit përballë Costa Ricas nuk u kualifikua, dhe la më shumë gjurmë në fushatën e tyre politike kundër këtij kampionati në Katar se sa në fushë. Është hera e 2-të radhazi që Gjermania bie në fazën e grupeve në një kampionat botëror, ndërkohë që sulmuesi spanjoll, Alvaro Morata u bë vetë lojtari i 2-të që shënoi në tri ndeshjet e grupit bashkë me holandezin dhe sulmuesin e krahut Cody Gakpo.
Fundi i “Gjeneratave të arta”?
Grupi F kishte Belgjikën, Marokun, Kanadanë dhe Kroacinë. Befasia e këtij grupi ishte Maroku që vazhdoi më tutje pa asnjë humbje dhe ka një skuadër mjaft të talentuar me lojtarë të cilët janë mjaft kualitativ individualisht. Kanada morri pjesë në botërorin e parë pas 40 vitesh dhe luajti mirë në disa momente gjatë ndeshjeve që zhvilloi por u largua me 0 pikë, njësoj si Katari. Belgjika pritej edhe njëherë të shkonte larg, por tensioni i brëndshëm mes lojtarëve shkaktoi që ata të mos performonin si zakonisht dhe si pasojë u eleminuan. Kroacia ia doli edhe njëherë të kualifikohej me “gjeneratën e artë“ të saj e cila tashmë është më në moshë, por arsyeja e njejtë penalizoi Belgjikën që pavarësisht moshës nuk i dha fundin e duhur “gjeneratës së artë” të saj. Vetë lojtari kryesor, Kevin De Bruyne tha: “Jemi shumë të vjetër për të performuar ashtu si mendoni, nuk duhet të prisni shumë nga ne në këtë kampionat, në asnjë mënyrë, nuk është e mundur”.
Kanada që nuk kishte shënuar kurrë në një edicion të kampionatit botëror e arriti këtë në ndeshjen përballë Kroacisë. Ndërkohë që Maroku me sukses orientoi veten drejt kualifikimit.
Dramë dhe mundësi rishpërblimi
Grupi G kishte Brazilin, Kamerunin, Serbinë dhe Zvicrën si 4 skuadrat që do të përballeshin, gati identik me atë të vitit 2018 vetëm se kësaj radhe Kameruni zëvendësoi Costa Ricën. Dhe përfundimi ishte i njejtë, Brazili në vend të parë, Zvicra në vendin e dytë, Kameruni në pozitën e tretë dhe Serbia në fund. Brazili e nisi me Serbinë dhe fitoi 2-0 me rezultat të njejtë si ai në 2018 me golat e Richarlison, i cili shënoi një ndër golat më të bukur këtë edicion. Zvicra fitoi 1-0 me Kamerunin me golin e Breel Embolo, që vetë është me prejardhje nga Kameruni, dhe si rezultat i familjes së tij iu grabit dhe iu shkatërrua shtëpia e u kërcënuan me vdekje për golin që djali i tyre e realizoi kundër shtetit nga vjen. Më pas Brazili siguroi kualifikimin përballë Zvicrës dhe Kameruni barazoi 3-3 me Serbinë. Në fund ishte dueli Zvicër-Serbi dhe si në 2018 ky duel do vendoste se kush vazhdon më tutje. Sërish pa përfshirë konfliktet politike, Serbia kishte mundësinë e hakmarrjes, por sërish dështoi duke humbur 3-2 në një rikthim tjetër rezultati nga Zvicra sikur në vitin 2018, dhe Xherdan Shaqiri që realizoi njëlloj si në 2018, dhe po Déjà vu është shumë prezente në këtë grup. Xherdan Shaqiri është lojtari i 3-të që ka realizuar në tri kampionatet e fundit botëror bashkë me Cristiano Ronaldon dhe Lionel Messin. Kameruni nuk u ndihmua nga presioni i ish legjendës Samuel Eto’o tashmë në rolin e presidentit të Federatës së
Futbollit i cili kishte deklaruar: “Çdo gjë më pak se finalja është dështim total, ne duhet të arrijmë të paktën në finale. Unë mendoj se Kameruni dhe Maroku do të jenë 2 finalistë”.
Kjo nuk ndodhi dhe Grupi G në fund pa një renditje pothuajse të njejtë si para 4 vitesh.
Befasia e Koresë Jugore
Grupi H gjithashtu kishte tensione por kësaj radhe në futboll, Portugalia, Uruguai, Korea Jugore dhe Ghana ishin pjesë dhe qëllimet ishin të qarta për tre nga këto skuadra. Portugalia dhe Ghana kërkonin hak ndaj Uruguait dhe Uruguai kërkonte të përsëriste çfarë kishte arritur kundër këtyre dy rivalëve. Eleminoi Portugalinë para 4 vitesh dhe Ghanën para 12 vitesh në një ndër ndeshjet më të zjarrta në historinë e kampionatit botëror. Portugalia mposhti Ghanën dhe Uruguain dhe vazhdoi, por Ghana pësoi me rezultat 2-0 nga Uruguai dhe nuk u kualifikua. Megjithatë Korea Jugore shfrytëzoi këtë kaos sportiv për të treguar se ky është kampionati i skuadrave të cilat nënvlerësohen nga shumë, si fillim duke barazuar me Uruguain 0-0, më pas duke pësuar humbje 3-2 me Ghanën dhe në fund një fitore 2-1 përballë Portugalisë e pozicionoi në vendin e dytë pas ekipës së Ronaldos.
Ndeshjet pasuese dhe 16 skuadrat më të mira
Pra kjo është e gjitha sa i përket grupeve, por çfarë do të shohim në pjesën eleminuese? Ka ndeshje mjaft interesante dhe skuadra të cilat ende kanë shumë për të dhuruar. Ka skuadra me përvojë dhe disa të cilat do të tentojnë të vazhdojnë rrugëtimin e tyre sa më larg të jetë e mundur.
Një gjë është e sigurt, pas rezultateve që kemi parë në grupe ne ende mund të presim surpriza pasiqë futbolli tregon se çdoherë ka një mundësi për të githë në skenën më prestigjioze të këtij sporti./UBTNews/