Deputeti shqiptar, Shaip Kamberi është përplasur me kryeministren serbe, Ana Bërnabiq, gjatë seancës së sotme të Parlamentit të Serbisë, në të cilën po diskutoheshin disa ndryshime kushtetuese që janë propozuar.
Gjatë fjalimit të tij, Deputeti Kamberi ka përmendur ndryshimin e nenit 1 të Kushtetutës të Serbisë, e cila e përcakton Serbinë si ‘shtet të popullit serb’.
Sipas tij, ky nen duhet të ndryshohet në tërësi, pasi është problematik në aspektin e pakicave.
Ai thotë se pakicat në Serbi përbëjnë më shumë se 20 për qind të popullsisë dhe një përkufizim i tillë përhap besimin se anëtarët e komuniteteve tjera janë “qytetarë të klasit të dytë”.
Si shembull, Kamberi ka përmendur Kushtetutën e Kosovës, neni 1 i së cilës thotë se “Kosova është shtet i shtetasve të saj”.
Pas këtyre deklaratave, i menjëhershëm ishte reagimi i kryeministres serbe, raporton B92.
“Nuk është e drejtë që t’i referoheni Kushtetutës së Kosovës pasi që jeni anëtar i Kuvendit në vendin në të cilën është ky territor, ajo është krahina jonë dhe ju duhet ta respektoni atë. Nuk ka Kushtetutë të Kosovës për këtë shtëpi ndërsa pavarësinë e fituan pa e pyetur askënd. Tash do t’ua tregojë më thjesht se çka do të thotë për mua Kushtetuta e Kosovës. Unë jam nga Karaburmi nga një pjesë e Beogradit dhe një mëngjes kam mundur të zgjohem dhe pa e pyetur askënd nga kjo pjesë unë e shpallë Republikën e Karaburmit. Një ditë më vonë e kam nënshkruar dhe sjellë ne Kuvend Kushtetutën e Karaburmit. E kjo Kushtetutë për këtë shtëpinë time këtu e ka të njëjtën vlefshmëri si ajo e Kushtetutës së Kosovës”, ka thënë Bërnabiq.
Ajo tutje përmendi disa raste, që sipas saj janë kryer ndaj të pafajshmëve në Kosovë, përfshirë ‘sulmet ndaj kishave dhe manastireve’.
I menjëhershëm ka qenë reagimi i deputetit Kamberi, i cili i tha kryeministres serbe se ajo mund të përmend edhe varrezat masive në Serbinë qendrore ku janë gjetur eshtrat e shqiptarëve në vend si Petrovo Selo dhe Batajnica.
Në lidhje me deklaratat e tilla, Bërnabiq tha se ‘rastet po hetohen’.
“Më vjen keq për të gjithë të vrarët, familjet e tyre, të gjithë të zhdukurit që po i kërkojmë edhe sot, por Serbia në territorin e saj qendror ka kërkuar absolutisht të gjitha varrezat për të cilat kemi marr informacione nga Prishtina, Kryqi i Kuq. Ky është një shembull se si punohet dhe mos abuzoni me këtë dhe mund të ju them se Prishtina nuk ka bërë asgjë” ka deklaruar ajo më tej.