Zëvendëspresidentja e SHBA-së, Kamala Harris po kryesonte të hënën një delegacion të nivelit të lartë për të takuar presidentin e ri të Emirateve të Bashkuara Arabe.
Ekipi përfshin Sekretarin e Shtetit, Antony Blinken, Sekretarin e Mbrojtjes, Lloyd Austin dhe shefin e CIA-s, William Burns.
Sheikh Mohamed bin Zayed Al Nahyan ose “MBZ”, për vite me radhë sundimtari de fakto, u zgjodh president të shtunën, një ditë pas vdekjes së gjysmëvëllait të tij të sëmurë prej kohësh, ish-udhëheqësit Sheikh Khalifa.
“Shtetet e Bashkuara e marrin mjaft seriozisht forcën e marrëdhënies dhe partneritetit tonë me Emiratet e Bashkuara Arabe”, tha Harris para nisjes së saj në kryeqytetin Abu Dhabi.
Vizita e nivelit të lartë duket se synon të riparojë një marrëdhënie që është përkeqësuar që kur Biden zëvendësoi Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë në janar 2021./UBTNews/