UBT News

Kalon në parim ligji për sigurime shëndetësore dhe çmimet tavan

Në vazhdimin e seancës së dytë të jashtëzakonshme të pasdites, Kuvendi i Kosovës ka miratuar në parim projektligjin për sigurimin e detyrueshëm të kujdesit shëndetësor dhe atë për çmimet tavan.

Projektligji për sigurimet shëndetësore u miratua me 65 vota për, duke marrë mbështetje edhe nga një pjesë e opozitës, e cila e cilësoi atë si të domosdoshëm. Ky projektligj parasheh krijimin e një pakete bazike shëndetësore që do të përditësohet çdo vit, ndërsa kontributet do të jenë 3.5 për qind nga paga e të punësuarit dhe 3.5 për qind nga punëdhënësi, për financimin e fondit të sigurimit.

Megjithatë, u theksua se funksionalizimi i Sistemit Informativ Shëndetësor mbetet parakusht për zbatimin e tij, ndërkohë që digjitalizimi i këtij sistemi ende nuk është përmbyllur. Një ligj i ngjashëm ishte miratuar edhe në vitin 2014, por nuk kishte gjetur zbatim praktik. Ndërkaq, ky projektligj ishte rrëzuar nga Gjykata Kushtetuese në janar për shkak të miratimit jokushtetues. Shqyrtimi i dytë i tij pritet të bëhet më 23 prill.

Në të njëjtën seancë, Kuvendi miratoi në parim edhe projektligjin për çmimet tavan me 63 vota për, pa mbështetjen e opozitës. Sipas ministrit të Financave, Hekuran Murati, ligji synon mbrojtjen e qytetarëve dhe do të përdoret si masë e jashtëzakonshme në raste të destabilizimit të tregut, duke theksuar se nuk është kundër tregut të lirë, por kundër abuzimeve me çmimet.

Nga ana tjetër, deputetët opozitarë e kundërshtuan projektligjin, duke vlerësuar se ai rrezikon ndërhyrjen në tregun e lirë dhe i jep Qeverisë kompetenca të drejtpërdrejta për kontrollin e çmimeve. Ata ngritën shqetësime edhe për mënyrën e funksionimit të bordit të paraparë në projektligj, duke e cilësuar atë si jopavarur dhe me mungesë të metodologjisë së qartë për vendimmarrje.

Exit mobile version