Kompania “Datareportal” ka publikuar raportin e saj të këtij viti mbi përdorimin e internetit në mbarë botën. Shifrat janë shumë të larta, por jo të papritura. Pandemia ka sjellë rritjen e ndjeshme të kohës që kalojmë në internet.
Raporti zbulon se veçanërisht më të rinjtë (16-24 vjeç), janë gjithnjë e më shumë të ndërvarur nga interneti dhe rrjetet sociale. Nga afro 8 miliardë banorë të planetit tonë, mbi 5.3 miliardë përdorin telefona celularë, gati 5 miliardë janë të lidhur me internetin, dhe pothuajse 4.7 miliardë i përdorin rrjetet sociale.
Të lidhur, por edhe të shkëputur
Raporti, që analizoi zakonet e mbi 900.000 përdoruesve të moshës 16–64 vjeç, vë në dukje se numri i njerëzve që përdorin internetin është dyfishuar në 10 vitet e fundit, nga pak më shumë se 2 miliardë në 2012 në gati 5 miliardë këtë vit, ndërsa përdoruesit e rrjeteve të ndryshme sociale janë trefishuar (në vitin 2012 ishin vetëm 1.5 miliardë).
Por ekziston edhe ana tjetër e medaljes, e përfaqësuar nga qytetarë që janë ende të shkëputur nga rrjeti. Në Azinë Jugore, janë rreth 1 miliardë, në Afrikë pothuajse 840 milionë, dhe në Kinë mbi 400 milionë.
Të varur nga rrjetet sociale
Paradoksalisht, rajonet me numrin më të madh të njerëzve që nuk janë të lidhur në internet,janë gjithashtu ato ku ata që lidhen, e bëjnë këtë për orë të tëra. Nigeria renditet në thuajse në të njëjtin nivel me Filipinet në krye të renditjes botërore për përdorimin e rrjeteve sociale, me mbi 4 orë përdorim ditor.
Në vendin e tretë pozicionohet India, me mbi 2 orë e gjysmë në ditë dhe Shtetet e Bashkuara, me 2 orë e gjysmë. Nga ana tjetër, italianët shpenzojnë relativisht pak kohë në rrjetet sociale, rreth 1 orë e treçerek në ditë, më pak se mesatarja botërore prej 2 orë e gjysmë.
Përdoruesit më të paktë të rrjeteve sociale janë japonezët, një vend ku të moshuarit përfaqësojnë pothuajse një të tretën e popullsisë, dhe ku ndoshta për këtë arsye, koha e kaluar në Facebook dhe rrjetet e tjera sociale, është mesatarisht vetëm 50 minuta në ditë.
Facebook sërish në krye
Rrjeti social më i përdorur në botë për vitin e kaluar ishte Facebook, me gati 3 miliardë përdorues aktivë mujorë, i ndjekur nga Youtube (me 2.5 miliardë) dhe Whatsapp (2 miliardë). Më pak të përdorura janë Quora (300 milionë), Reddit (430 milionë) dhe Twitter (436 milionë).
Kalojmë në internet gati 1/3 e jetës sonë
Mesatarisht, secili prej nesh shpenzon thuajse 7 orë në ditë i lidhur me internetin. Edhe në këtë rast, italianët renditen nën mesataren globale, pak më shumë se 6 orë në ditë. Ata qëlundrojnë më shumë në internet janë afrikano-jugorët, me thuajse 11 orë në ditë.
Sipas studimit, njerëzit hyjnë në internet për të kërkuar informacione, për të qëndruar në kontakt me familjen dhe miqtë, dhe për të lexuar lajmet dhe ngjarjet e ditës. Ndërkohë gati 43për qind e të anketuarve, thonë e përdorin internetin sa për të kaluar kohën, pa pasur ndonjë qëllim specifik.
Interneti më i shpejtë dhe më i ngadaltë
Ata që jetojnë në Emiratet e Bashkuara Arabe, mund të mbështeten tek një internet me një shpejtësi shumë të lartë, mbi 136 Mb/s. Në Itali, shpejtësia mesatare e internetit është 35 Mb/s, pak mbi mesataren botërore prej 29 Mb/s. Ndërkohë lidhjet më të ngadalta në rrjet janë në Kenia dhe Gana, përkatësisht 13 dhe 8 Mb/s./ Focus – Bota.al