Kalaja e Prizrenit është rihapur sërish pjesërisht për vizitorët, në episodin e tretë të mbylljeve dhe rihapjeve brenda katër muajve të fundit.
Ministria e Kulturës ka njoftuar se nga 7 shtatori 2026, Kalaja është e hapur për vizitorë nga ora 12:00, por disa pjesë të saj do të mbeten të mbyllura për shkak të punimeve që po vazhdojnë.
“Punimet në Kala do të vazhdojnë, për këtë arsye disa pjesë të hapësirës do të jenë të mbyllura për vizitorët”, thuhet në njoftimin e Ministrisë, e cila ka kërkuar nga vizitorët të respektojnë shenjat orientuese dhe kufizimet e vendosura.
Rihapja e pjesshme vjen pas një periudhe në të cilën Kalaja fillimisht ishte mbyllur pjesërisht, më pas plotësisht, ndërsa tani është sërish e qasshme vetëm në disa zona. Se kur do të hapet tërësisht, ende nuk dihet.
Ndërhyrje emergjente, por jo zgjidhje përfundimtare
Në fund të gushtit, Kalaja u mbyll tërësisht për vizitorët, ndërsa ndërhyrjet emergjente nisën pas një tenderi të dhënë në fund të korrikut.
Thirrja për punime, me titull “Masat emergjente në Kalanë e Prizrenit dhe Kalanë e Novobërdës”, kap vlerën prej 110 mijë e 820 eurosh. Për Kalanë e Prizrenit janë paraparë mbi 80 mijë euro, ndërsa pjesa tjetër është dedikuar ndërhyrjeve në Kalanë e Novobërdës.
Punimet në Prizren përfshijnë pastrimin e terrenit, vendosjen e rrethojave mbrojtëse, kamerave të sigurisë dhe sistemit të monitorimit, zërimin, rregullimin e shtigjeve për vizitorë, tabelave informuese, ulëseve në amfiteatër dhe zhvendosjen e tualeteve jashtë hapësirës së mureve rrethuese.
Megjithatë, problemet e Kalasë janë shumë më të thella sesa ndërhyrjet aktuale emergjente.
Një raport i përgatitur nga ekspertë të Institutit Arkeologjik të Kosovës, Institutit për Mbrojtjen e Monumenteve të Kosovës dhe Qendrës Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Prizren ka evidentuar dëmtime serioze në strukturat e monumentit.
Në raport rekomandohet sigurimi i segmenteve të dobësuara të mureve, pastrimi dhe plotësimi i fugave me llaç origjinal, kufizimi i qasjes së vizitorëve në zonat e rrezikshme, si dhe hartimi urgjent i një programi të plotë për konservim dhe restaurim.
Rreziku nga degradimi i mureve
Sipas raportit të hartuar nga Veron Tara, Caner Tatar, Elvis Shala, Sara Sylejmani, Jusuf Xhibo dhe Besar Grazhda, në muret e larta rrethuese është konstatuar humbje e madhe e qëndrueshmërisë së llaçit lidhës me bazë gëlqereje.
Problemi lidhet me ndikimet atmosferike dhe depërtimin e ujit në brendësi të mureve. Si pasojë, janë krijuar zbrazëtira, ka humbje të materialit në mbushjet e brendshme dhe në disa pjesë janë evidentuar edhe rënie gurësh.
Raporti konstaton se në disa segmente tashmë ka pasur shembje të pjesshme dhe se procesi i degradimit është ende në zhvillim.
Kalaja e Prizrenit, një prej monumenteve dhe pikave turistike më të vizituara në Kosovë, është përballur kështu me mbyllje të njëpasnjëshme dhe ndërhyrje emergjente. Ndërsa vizitorët tash mund të rikthehen në disa pjesë të saj, mbetet e paqartë se kur do të bëhet një ndërhyrje e plotë që do t’i trajtonte problemet e trashëgimisë dhe mirëmbajtjes në mënyrë afatgjatë.
D.L
